
ITALI- Një konflikt i lidhur me dyshimet për një rivalitet në dashuri ka përfunduar me një dënim të rëndë në Itali për 32vjeçarin shqiptar Altin Jakini. Gjykata e ka shpallur fajtor për tentativën e vrasjes së një 28-vjeçari dhe e ka dënuar me 11 vite e 6 muaj burg.
Sipas mediave italiane, ngjarja kishte ndodhur në tetor të vitit 2023 në Manta në provincën e Cuneos. Jakini, i cili punonte si sipërmarrës në sektorin e ndërtimit, akuzohej se kishte përdorur një pistoletë dhe kishte qëlluar në drejtim të një furgoni, ndërsa e dinte se brenda tij ndodhej 28-vjeçari.
Pas të shtënave, furgoni kishte dalë nga rruga dhe 28-vjeçari ishte gjetur në gjendje të rëndë nga ekipet e shpëtimit. Fillimisht autoritetet e kishin trajtuar ngjarjen si një aksident të rëndë rrugor.
Dëshmia e të plagosurit do të ndryshonte më pas drejtimin e hetimeve. Para se të hynte në sallën e operacionit në Cuneo, 28-vjeçari i tregoi policisë personin që kishte qëlluar ndaj tij.
Në gjykim akuza e lidhi sulmin me xhelozinë e Jakinit ndaj 28-vjeçarit, të cilin ai dyshonte se ishte i përfshirë në një marrëdhënie me të dashurën e tij. Sipas akuzës, dyshimet kishin krijuar tension mes tyre edhe në ditët para ngjarjes, ndërsa 28-vjeçari kishte tentuar ta bindte se nuk kishte arsye për të dyshuar.
Përgjegjësia penale u shqyrtua edhe për një tjetër person. Andrea Dedi i cili në atë kohë ishte punonjës i Jakinit akuzohej se kishte ndihmuar në realizimin e sulmit. Gjykata megjithatë e shpalli atë të pafajshëm./ZËRI