Aktualitet

GJKKO gjobiti mbi 10 avokatë me nga 50 mijë lekë, Haxhia: Do të ankimojmë, mbledhim Këshillin të mërkurën

Mësohet se gjobat janë vendosur gjatë procesit ndaj Lulzim Berishës, Emiljano Shullazit dhe të pandehurve të tjerë për vrasjet e vitit 2005 të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, në një seancë ku SPAK pritej të lexonte pretencën.

zh.ll
GJKKO gjobiti mbi 10 avokatë me nga 50 mijë lekë, Haxhia: Do
foto ilustruese

TIRANË- Përplasja mes avokatëve dhe Gjykatës së Posaçme ka kaluar në një tjetër fazë, për shkak të rregullores së re që ndalon përdorimin e celularëve. Avokatët e kanë kundërshtuar këtë rregullore dhe prek disa kanë vendosur bojkot, ndërsa GJKKO u është përgjigjur duke i gjobitur me gjoba.

Gjykata ka reaguar me masa ndëshkuese ndaj avokatëve që nuk janë paraqitur në proceset ku kanë qenë të angazhuar. Gjobitja me nga 50 mijë lekë të rinj është vendosur për mbi 10 avokatë nga trupa gjykuese e drejtuar nga gjyqtarja Flora Hajredinaj.

Mësohet se gjobat janë vendosur gjatë procesit ndaj Lulzim Berishës, Emiljano Shullazit dhe të pandehurve të tjerë për vrasjet e vitit 2005 të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, në një seancë ku SPAK pritej të lexonte pretencën. Avokatët e të pandehurve nuk kanë marrë pjesë në proces si mbrojtës, por kanë qëndruar në pjesën e sallës së rezervuar për publikun. 

Nga ana tjetër, ka reaguar edhe kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, i cli deklaroi se gjobat do të ankimohen. Ai paralajmëroi se të mërkurën në orën 13:00 do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm për të anlizuar mbi ecurinë e bojkotit. 

“Avokatët kanë një ligj, të miratuar nga Kuvendi në bazë të Kushtetutës dhe konventave, për ushtrimin e profesionit të tyre. Në këtë ligj thuhet se organi më i lartë vendimmarrës është Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë. Vendimet e këtij këshilli janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga avokatët. Në rast të shkeljes së këtyre vendimeve, ndaj avokatëve aplikohen masa.

Alternativa është që avokatët të mos respektojnë vendimin e Këshillit të Përgjithshëm dhe të mos gjobiten nga gjykata, apo ta respektojnë atë dhe të marrin gjoba. Kjo nuk duhet të kishte ndodhur, sepse nuk është mirë për GJKKO-në të zbatojë një rregullore me forcën e dënimit administrativ. Gjobat jepen kur je në seancë, jo kur nuk shkon.

Të mërkurën, në orën 13:00, do të jetë mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm, i cili do të marrë në analizë ecurinë e vendimit për bojkotin pa afat të seancave në GJKKO. Aty do të vendoset se çfarë masash do të marrim dhe si do të ecim më tej. Avokatët e gjobitur, në respekt të ligjit, do të bëjnë ankimin e tyre", tha Haxhia. 

Masa administrative vjen në një kohë kur GJKKO ka bërë të ditur se rregullorja e re do të vijojë të zbatohet, duke e bërë të qartë se nuk do të tërhiqet. 

Rregullorja e re GJKKO-së hyri në fuqi më datë 1 shtator. Me ndryshimet e reja kufizohet numri i përfaqësuesve të mediave që mund të ndjekin një seancë gjyqësore, hiqet praktika e deritanishme që lejonte filmimin e minutave të para të seancave, ndalohet filmimi në korridoret e gjykatës dhe gazetarët do të duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim të paktën 24 orë përpara për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore. 

Gjithashtu, rregullorja e re ndalon mbajtjen dhe përdorimit e telefonave celularë, laptopëve dhe tabletëve brenda sallave të gjyqit për avokatët. Megjithatë në rregullore thuhet se: Prokurorët, të pandehurit, viktimat dhe avokatët që marrin pjesë në një seancë gjyqësore mund të mbajnë me vete dhe të përdorin vetëm kompjuterë portativë (laptopë) për ushtrimin e funksioneve të tyre procedurale, për aq kohë sa përdorimi i tyre nuk cenon rendin, solemnitetin ose zhvillimin e rregullt të seancës gjyqësore./ZËRI



Poll

MOS HUMB