Aktualitet

Ekzekutimi mes rrugës i Artan Myrtaj, Ministri Demo urdhëron shkrirjen e zinxhirit drejtues të Policisë Sarandë

Ministri i Brendshëm ka kërkuar që të krijohet një Task Forcë në këtë qytet.

F.I
Ekzekutimi mes rrugës i Artan Myrtaj, Ministri Demo urdhëron shkrirjen
Ervin Demo

TIRANË-Ministri i ri i Brendshëm, Ervin Demo ka zhvilluar një takim me drejtuesit e policisë në qarqe. Në fokus të takimit raportohet se ka qenë ngjarja e rëndë e ndodhur mëngjesin e 20 shtatorit në Sarandë, ku u vra në mes të rrugës Artan Myrtaj dhe u plagos edhe një kalimtar, Xhevdet Skëndaj. 

Lëvizja e parë e ministrit Demo ka qenë e ashpër, ku mësohet se ka urdhëruar shkrirjen e të gjithë zinxhirit drejtues të Sarandës. Po ashtu Ministri i Brendshëm ka kërkuar që të krijohet një Task Forcë në këtë qytet.

44-vjeçari Artan Myrtaj u vra në një atentat me armë zjarri një ditë më parë pranë kryqëzimit te ish-agjencia e vjetër, kur dy autorët, që kishin ardhur nga rruga “Lefter Talo”, iu afruan me motor dhe qëlluan të paktën dy herë. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbeti i plagosur edhe një kalimtar, 73 vjeç. Grupi hetimor ka sekuestruar në vendin e ngjarjes rreth 13 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra, ndërsa policia ka marrë në pyetje rreth 20 persona që ndodheshin në zonë në momentin e atentatit.

Gjithashtu, hetuesit kanë nisur këqyrjen e pamjeve të disa kamerave të sigurisë në qytet, ndërsa për të tjera ende nuk është bërë i mundur aksesimi. Në të njëjtën kohë, vijojnë kontrollet në akset dalëse të Sarandë, ku janë ngritur postoblloqe për kapjen e autorëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB