
BURREL- Një sasi lëndë plasëse është gjetur poshtë një automjeti në qytetin e Burrelit. Pakoja e dyshuar me lëndë plasëse është gjetur mëngjesin e sotëm në lagjen Pjetër Budi në Mat nën një makinë të parkuar, e cila i përket Edmond Pashës. Ka qenë vetë Pasha, i cili ka njoftuar autoritetet pasi, ka tentuar ta ndezë mjetin në mëngjes. Pasi automjeti nuk ka ndezur ai ka zbritur dhe rastësisht ka konstatuar lëndën plasëse dhe ka njoftuar policinë.
Policia ka kërkuar ndihmën e forcave antieksploziv të cilët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të larguar lëndën plasëse. Pasi është konstatuar rreziku, menjëherë kanë ardhur forcat xhenjere nga Tirana për të kryer verifikimet dhe siguruar situatën. Pas disa orësh, pakoja është hequr dhe aktualisht priten rezultatet e verifikimit për të përcaktuar nëse lëndët janë të dyshimta apo jo.
“Me datë 06.01.2025, rreth orës 10.50, në lagjen "Pjetër Budi", poshtë automjetit të parkuar në pronësi të shtetasit E.P., ështe konstatuar një pako, e dyshuar me lëndë plasëse. Forcat xheniere po kryejnë veprimet për heqjen e pakos dhe verifikimin e saj. Ndërkohë grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton Policia. /ZËRI