Aktualitet

Fshehu plagosjen me thikë të 26-vjeçarit nga një 59-vjeçar, Gjykata e Elbasanit liron mjekun nga qelia

I.F
Fshehu plagosjen me thikë të 26-vjeçarit nga një
Foto ilustruese

ELBASAN- Gjykata e Elbasanit ka liruar nga burgu mjekun e arrestuar, pas plagosjes me thikë të 26-vjeçarit në Elbasan nga një 59-vjeçar i dehur. Mjeku akuzohej për shpërdorim detyre, pasi ai nuk shënoi në kartelën shëndetësore mjekimin e të riut dhe se ai ishte plagosur me thikë.

Gjyqtari Ardit Kuka caktoi ndaj mjekut 32-vjeçar Klidit Dodi masën detyrim paraqitje dhe ka vendosur pezullimin e tij nga detyra deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Për shkak se është ende nën hetim, Dodit nuk i lejohet të largohet nga territori shqiptar si dhe duhet të paraqitet në policinë gjyqësore 2 herë në muaj, në javën e parë dhe të tretë, ditë e hënë në orën 12:00.

"Sot më datë 13.10.2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan me trup gjykues të përbërë nga Gjyqtar z. Ardit Kuka në përfundim të gjykimit vendosi:

1. Pranimin e kërkesës.

2. Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim Klidit Dodi, i ndaluar nga policia gjyqësore, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

3. Caktimin e masave të sigurimit personal “Detyrimit për t`u paraqitur në policinë gjyqësore”, “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimit të ushtrimit të detyrës a shërbimit publik” të parashikuar nga nenet 233, 234 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim Klidit Dodi.

4. Urdhërohet personi nën hetim Klidit Dodi, që të paraqitet në policinë gjyqësore javën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ditë e hënë, ora 12:00.

5. Urdhërohet personi nën hetim Klidit Dodi, që të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë.

6. Urdhërohet personi nën hetim Klidit Dodi, që të depozitojë pranë prokurorisë mjetet e identifikimit pasaportë dhe kartë identiteti.

7. Urdhërohet pezullimi nga detyra e mjekut e personit nën hetim Klidit Dodi

8. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm nga paraburgimi i personit nën hetim Klidit Dodi, nëse nuk mbahet për ndonjë masë sigurimi tjetër ose dënim penal tjetër.

9. Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për ekzekutimin e këtij vendimi.

10. Shpenzimet gjyqësore lihen siç janë bërë.

11. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të arsyetuar të tij.

Palët e pranishme morën dijeni.

 U shpall në Elbasan, më datë 13.10.2024”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Elbasanit.

Më datë 12 tetor, Policia e Elbasanit njoftoi se një 26-vjeçar u plagos me thikë nga një 59-vjeçar që ishte në gjendje të dehur. I riu shkoi në spital për t'u mjekuar dhe mjeku roje nuk e shënoi në kartelën e tij shëndetësore mjekimin e tij. Mjeku, Klidit Dodi u arrestua së bashku me 59-vjeçarin. /ZËRI

Poll

MOS HUMB