
TIRANË- Bruceloza tashmë është një realitet në vendin tonë. Sëmundja ka arritur që të përhapet nga kafshët tek njerëzit. Sipas "TopChannel", deri më tani në vendin tonë janë shënuar 11 raste, midis tyre edhe të mitur, të cilët rrezikojnë seriozisht shëndetin. Duke u bazuar në Planin Kombëtar te Vaksinimit, të hartuar nga ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, kafshët duhet të ishin vaksinuar që në fillim të pranverës, me qëllimin e vetës për të parandaluar infektimin me brucelozë nga kafsha tek njerëzit. Por mesa duket ky protokoll nuk është ndjekur dhe tashmë kemi të infektuar edhe njerëz.
Top Channel në datën 19 shtator i ka dërguar një shkresë zyrtare Ministrisë së Bujqësisë se përse vaksina e brucelozës nuk është aplikuar tek të imtat për vitin 2024, por nuk është marrë asnjë përgjigje deri më tani.
Çfarë është Brucella (Bruceloza)?
Brucella (Bruceloza) është një infeksion që mund të kapet nga qumështi dhe djathi i papasterizuar. Emrat e tjerë të saj janë ethet mesdhetare, ethet e Qipros, ethet shkëmbore, ethet e valëzuara ose ethet e Maltës. Mënyrat sesi mund të biem në kontakt me këtë sëmundje janë: pirja e qumështit të papasterizuar; konsumimi i produkteve të qumështit si djathi dhe akullorja e prodhuar nga qumështi i papasterizuar, por edhe konsumimi i mishit të papërpunuar.
Simptomat e brucelës mund të shfaqen papritur brenda 1-2 ditësh ose gradualisht gjatë disa javësh. Simptomat e brucelës janë të ngjashme me gripin./ZËRI