
ITALI- Një ngjarje jo e zakontë ka ndodhur në Itali, ku një i moshuar 90-vjeçar italian tentoi t'i kalonte një pjesë të pasurisë së tij të dashurës së tij shqiptare, 48 vite më të re. Pasi familja e italianit ka marrë vesh se i moshuari i kishte lënë pasurinë të dashurës, këtë të fundit e ka hedhur në gjyq. Familjarët "janë kapur" tek fakti se i moshuari ishte i paaftë për të marrë vendime për veten 3 vitet e fundit. Sipas mediave italiane, i moshuari e kishte mbajtur të fshehtë lidhjen e tij për 20 vite, por u zbulua përmes një transferte bankare.
I moshuari, banues në Rimini, mburrej me punët që kishte pasur në kompani prestigjioze, të cilat sigurisht që i kishin siguruar të ardhura të mira. Ai jetoi si një njeri që kishte lundruar në ujëra ekonomikisht të qeta. Por marrëdhënia e tij jashtëmartesore u zbulua kur ai donte që t'i kalonte 40 mijë euro të dashurës së tij, e cila tani është 42-vjeçe. Ky fakt alarmoi familjen e italianit, i cili është i martuar, madje jeton ende me gruan. Ishte kjo e fundit që e bindi të bijën që të dënonconte shqiptaren.
Sapo u bë denoncimi, prokurori Davide Ercolani bllokoi llogaritë e 90-vjeçarit. Deri më tani i vetmi vendim që është marrë është bllokimi i llogarive të 90-vjeçarit.
Në mbrojtjen e saj shqiptareja, e cila tashmë është e martuar dhe nënë, tregoi se e takoi të moshuatin në vitin 2004, në një lokal në qendër të Rimini, vend ku i moshuari kishte shkuar për të ngrënë mëngjes. Ai ra në dashuri me gruan që tashmë punon si bankiere dhe brenda pak muajsh ata të dy krijuan një lidhje. Ajo tregoi se gjithë kohës ai i kishte bërë dhurata të të gjitha llojeve, përfshirë udhëtime dhe rroba. Madje kapën shumën e 200 mijë eurove.
Por sipas familjarëve të italianit, gruaja kishte përfituar nga mosha e tij dhe e kishte zhvatur. Për të dalë në një përfundim, Prokuroria ka udhëzuar Prof. Renato Ariatti për të kryer një vlerësim psikiatrik dhe psikologjik për burrin, i cili tashmë është vizituar në Bolonjë. Të dyja palët presin me padurim raportin. A do t'i marrë shqiptarja paratë e saj?/ZËRI