TIRANË- Zjarre të përmasave të mëdha janë regjistruar në disa zona të vendit. Flakët e përhapura nga erërat e forta kanë rrezikuar banesa dhe duke shkaktuar dëme në sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj dhe bimësi.
Lezhë-shuhen flakët pas 5 orësh
Një situatë problematike është raportuar në Piraj të Lezhës, ku flakët u përhapën me shpejtësi gjatë orëve të drekës, të favorizuara nga era e fortë. Zjarri përfshiu 2 banesa dhe kasolle bagëtish, duke alarmuar banorët e zonës. Pas rreth pesë orësh ndërhyrje, flakët në Piraj u vunë nën kontroll, ndërsa banorët përjetuan momente paniku teksa zjarri iu afrua banesave.
Peqin-digjen sipërfaqe me ullinj e bimësi
Ndërkohë, prej orëve të mëngjesit të sotëm, një tjetër zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë fshatrat Galush dhe Gjevurë në Peqin. Flakët kanë shkaktuar dëme në sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj dhe bimësi, ndërsa operacioni për shuarjen e zjarrit vijon. Në terren është angazhuar edhe një helikopter, ndërsa era e fortë favorizon përhapjen e flakëve dhe vështirëson ndërhyrjen e ekipeve zjarrfikëse.
Merr flakë vend depozitimi i mbetjeve të Bulqizës
Një tjetër vatër zjarri është shënuar pasditen e sotme në vend-depozitimin e mbetjeve të Bashkisë Bulqizë, mbi fshatin Plan i Bardhë. Zjarri ka përfshirë vend-depozitimin në një zonë që ndodhet pranë aksit nacional Bulqizë–Martanesh, ndërsa re të dendura tymi janë përhapur në zonat përreth. Në vendngjarje ndodhen shërbimet zjarrfikëse të Bashkive Bulqizë dhe Klos, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e plotë të flakëve./ZËRI