SHIJAK- Situata me zjarret vijon të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në disa zona të vendit. Vatra kryesore e flakëve në Shijak, në fshatin Shetel, ka vijuar të jetë aktive gjatë gjithë natës duke rrezikuar edhe banesat e zonës. Kjo për shkak se zjarri ka kaluar në anën e fshatit Kënetë, ku edhe po punohet për fikjen e zjarrit. Terreni vështirëson operacionin e ndërhyrjes.
NJOFTIMI I MINISTRISË:
Informacion i orës 00:00, mbi situatën e krijuar nga zjarri në fshatin Shetel, Njësia Administrative Gjepalaj, Bashkia Shijak.
Vijon me intensitet të lartë puna në terren nga forcat zjarrfikëse të M.Z.Sh-së Shijak, të mbështetura nga M.Z.Sh-ja Durrës dhe Stacioni Zjarrfikës i Autoritetit Portual Durrës, si dhe strukturat e tjera vendore. Aktualisht është bërë i mundur izolimi në vatrën kryesore, në fshatin Shetel duke eliminuar rrezikun për banesat. Për shkak të pranisë së erës zjarri ka kaluar në anën e fshatit Kënetë, Njësia Administrative Gjepalaj ku është përqëndruar pjesa dërrmuese e forcave me qëllim izolimin dhe fikjen e zjarrit. Terreni vështirëson operacionin e ndërhyrjes. Operacioni po ndiqet nga afër nga Ministri i Mbrojtjes Z. Pirro Vengu, Prefekti i Qarkut Z. Emiljan Jani, Kryetari i Bashkisë Shijak Z. Elton Arbana./ZËRI