DURRËS-Një tjetër tentativë arratisjeje me pasojë përplasjen e mjeteve të tjera është regjistruar sot në Durrës. Policia ka ndjekur një person në kërkim, po rky i fundit në tentativë për t’i shpëtuar arrestimit, ka përplasur me makinë 4 automjete të parkuara. Ngjarja ndodhi te tregu i fruta-perimeve. Autori ka braktisur mjetin në vendin e ngjarjes dhe është larguar me vrap, ndërsa është shpallur në kërkim.
Konkretisht Forcat e Posaçme “Shqiponja” i kanë bërë me shenjë të ndalonte shtetasit Regi Xhanari, pasi ishte duke drejtuar automjetin me shpejtësi të lartë, por ky i fundi nuk i është bindur urdhrit të Policisë. Shtetasi Regi Xhanari ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Mashtrimi”.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 12:45, në lagjen nr. 14, Durrës, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, gjatë patrullimit, i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të një automjeti që po lëvizte me shpejtësi, por ai nuk i është bindur urdhrit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen.
Gjatë largimit, drejtuesi i automjetit, shtetasi R. Xh., ka përplasur 5 automjete të parkuara, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Më pas, ai ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes.
Shërbimet e Policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të tij dhe po kryejnë kontrolle intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se shtetasi R. Xh. ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Mashtrimi”.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.