TIRANË-Prokuroria e Posaçme ka njoftuar zyrtarisht se ka nisur procedim penal lidhur me abuzimet me fondet IPARD II. Në një përgjigje për mediat, SPAK bëri me dije se çështja ndodhet në fazën e hetimeve paraprake, ndërsa për momentin nuk jepen detaje për shkak të sekretit hetimor.
"Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedim penal dhe çështja është në fazën e hetimeve paraprake. Për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk mund të bëjë publike informacione të mëtejshme,"-thuhet në përgjigjen e SPAK.
Programi i IPARD II parashikonte një fond total prej 146 milionë euro, nga të cilat 112 milionë euro janë fondet të BE-së dhe pjesa tjetër financim i qeverisë shqiptare. Hetimi për IPARD II fillimisht nisi në 2023 nga OLAF (Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit).
Nga hetimet OLAF identifikoi keqpërdorimin e 33 milionë eurove, fonde të BE-së në ndihmë të bujqësisë shqiptare. OLAF sqaroi se aplikantët për IPARD II ishin të detyruar të paguanin një përqindje të madhe të grantit të tyre për kompanitë konsulente të "përzgjedhura paraprakisht", të cilat më pas do të lehtësonin kontratat me Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin Rural dhe Bujqësinë (AZHBR), e cila shpërndante fondet.
OLAF zbuloi disa parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve, të cilat përfshinin pagesën e lartë të aplikantëve, kontratat false dhe çmime të fryra./ZËRI

