
TIRANË- Tirana u trondit sot nga një ngjarje e rëndë që ndodhi në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli”, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta u vra me thikë një nxënës 14-vjeçar dhe u plagos një tjetër. Viktima u qëllua 6 herë në bark, fyt dhe në zemër me thikë, plagë këto të cilat ishin fatale për të. Mësohet se në konflikt u përfshinë 7 të mitur, të cilët disa prej tyre janë shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshminë rreth ngjarjes.
Sipas dëshmitarëve, roja i shkollës nuk ka qenë i pranishëm në vendngjarje, pasi nëse ai do të ishte prezent, tragjedia do të ishte parandaluar. Burimet e sigurta thanë për “ZËRI”, se policia ka shkuar rreth 15 minuta me vonesë dhe ka qenë një qytetare që e ka transportuar të miturin në spital, pasi ambulanca nuk ka shkuar në vendngjarje.
Po ashtu edhe autori i dyshuar, është plagosur në krahë dhe po merr ndihmë mjekësorë në një spital privat. Gjithashtu për këtë ngjarje të rëndë reagoi edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, ku bëri thirrje që të zbardhet menjëherë. Ndërsa, në njoftimin zyrtar Policia tha se ngjarja ndodhi 200-300 metra larg instuticionit arsimor. Por sipas dëshmitarëve, ngjarja ndodhi në ambientete e shkollës.
Shkaku nuk dihet ende në mënyrë zyrtare, flitet për një konflikt të nisur nga rrjetet sociale, për shkak të problematikave mes të miturve. Po ashtu mësohet se ka pasur një mungesë të policit në derën e shkollës, pas mbarimit të mësimit. /ZËRI