Aktualitet

Elbasani, qyteti i mrekullive, ku vrasjet nuk ndodhin, edhe kur ndodhin!

I riu ndërroi jetë nga një tritol i vendosur në shkallën e pallatit ku ai banonte, por lënda plasëse nuk ishte për të. Tritoli ishte vendosur për dy motrat, Alda dhe Xhovana Nikolli.  

k.m.
Elbasani, qyteti i mrekullive, ku vrasjet nuk ndodhin, edhe kur ndodhin!
Enea Thomaraj

ELBASAN- Gazetari Flamur Vezaj ka bërë një postim në rrjetet sociale lidhur me një deklaratë të bërë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Dje, në një takim me stukturat e Elbasanit, Proda tha se viti 2024 ishte mbyllur pa asnjë vrasje. E pikërisht këtë deklaratë komentoi edhe gazetari Vezaj, i cili risolli edhe njëherë ndarjen nga jeta të 29-vjeçarit Enea Thomaraj. I riu ndërroi jetë nga një tritol i vendosur në shkallën e pallatit ku ai banonte, por lënda plasëse nuk ishte për të. Tritoli ishte vendosur për dy motrat, Alda dhe Xhovana Nikolli.  

"Sigurisht, mund të ketë ndodhur një shpërthim i vogël në korriknjë lëndim “i papërfillshëm” i një 29-vjeçari të pafajshëm që më pas ndërroi jetë pas muajsh vuajtjeje… por përse ta ngatërrojmë këtë me një vrasje? Se mos e qëlluan me armë ballë për ballë! Jo, ishte thjesht një përplasje e rastësishme mes një njeriu dhe një sasie të vogël eksplozivi, një aksident i zakonshëm në vendin tonë plot rend dhe siguri,"- shkruan gazetari.

“Elbasani, qyteti i mrekullive, ku vrasjet nuk ndodhin, edhe kur ndodhin!”

Në një akt të paparë magjie statistike, Policia e Shtetit ka arritur të fshijë nga ekzistenca një vrasje me tritol! Po, po, e lexuat mirë! Viti 2024 u mbyll pa asnjë vrasje në qarkun e Elbasanit, sipas raportit të bujshëm të drejtorit Ilir Proda. Dhe kush jemi ne të vëmë në dyshim një statistikë kaq të pastër e të kulluar?! Sigurisht, mund të ketë ndodhur një shpërthim i vogël në korriknjë lëndim “i papërfillshëm” i një 29-vjeçari të pafajshëm që më pas ndërroi jetë pas muajsh vuajtjeje… por përse ta ngatërrojmë këtë me një vrasje? Se mos e qëlluan me armë ballë për ballë! Jo, ishte thjesht një përplasje e rastësishme mes një njeriu dhe një sasie të vogël eksplozivi, një aksident i zakonshëm në vendin tonë plot rend dhe siguri.

Dhe pastaj, hajde ta gjejmë autorin! I dyshuari? Një i penduar i drejtësisë, Nuredin Dumani, që flet për të tjerët por nuk na flet për veten. Policët e nderuar bashkë me SPAK-un, ende e kanë në “Top List” kapjen e personit që e vendosi tritolin, por, meqenëse viktima vdiq disa muaj pas shpërthimit, përse të prishim rekordin historik të Elbasanit? Të vrasim bukurinë e një raporti perfekt për një detaj aq të vogël?!

Në fund të fundit, rendi dhe siguria në Shqipëri janë si një film i mirë aksion, ka shumë shpërthime, por asnjë viktimë në fund! Bravo, Policia e Shtetit, për një vit të suksesshëm pa vrasje! Enea Thomallari, ti thjesht ishe në shtëpin tënde, pra në kohën dhe vendin e gabuar, por zyrtarisht, nuk ke ekzistuar fare.

29-vjeçari mbeti viktimë si pasojë e një sasie tritoli që u vendos në korridorin e katit të 4-t të pallatit në derën e hyrjes në pronësi të një 59-vjeçari, ku jetonin me qira motrat Nikolli, të cilat akuzuan Nuredin Dumanin si porositës të vendosjes së tritolit. Por fatkeqësisht dëmtimet më të mëdha u shkaktuan në banesën e familjes Thomaraj, duke e lënë të riun të plagosur rëndë. Enea Thomaraj, 29 vjeç, që prej datës 14 korrik ndodhej në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë, ku mëngjesin e 4 tetorit ka ndërruar jetë. Giovanna dhe motra e saj, Alda jetonin së bashku në banesën në Elbasan ku ndodhi shpërthimi mëngjesin e 14 korrikut. Pas ngjarjes ato hodhën akuza në drejtim të Nuredin Dumanit, por edhe Prokurorisë së Posaçme, pasi sipas tyre i penduari i drejtësisë ka trajtim preferencial në ambientet e burgut, dhe merr vendime dhe për të dënuarit e tjerë.

Nikolli akuzoi Dumanin se kishte dhunuar në 3 raste të dashurin e saj në qeli, Amarildo Xhanej, ndërsa u shfaqën dhe pamjet, ku vrasësi me pagesë, tashmë i penduar, komunikonte lirisht nga ambientet e burgut. Pas denoncimit të Nikollit, 2 punonjës të policisë së burgjeve u pezulluan nga detyra. Hetimet për shpërthimin me tritol, janë marrë përsipër nga Prokuroria e Posaçme, por deri tani nuk ka asnjë person të arrestuar për ngjarjen, edhe pse fillimisht u pretendua se policia kishte identifikuar autorin e ngjarjes./ZËRI

Poll

MOS HUMB