Aktualitet

Si u vra Kristjan Marku? Hakmarrja pista e hetimeve, Policia kontrolle në Rrëshen, shoqërohen 4 persona

Sipas burimeve, blutë kanë kryer gjatë natës kontrolle edhe në banesën e familjes Reçi, ku janë shoqëruar katër anëtarë të këtij fisi.

F.I
Si u vra Kristjan Marku? Hakmarrja pista e hetimeve, Policia kontrolle në
PAMJE NGA VENDNGJARJA

VLORË-Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e 13 janarit në aksin Fier-Vlorë, ku i vrarë mbeti 30-vjeçari Kristjan Marku (Bardhi). 30-vjeçari ka qenë duke udhëtuar në drejtim të Vlorës, kur autorët që dyshohet se ishin 3, e kanë zënë në pritë në mbikalimin e Novoselës. Sapo është futur aty, autorët me makinë e kanë ndjekur nga pas dhe kanë shtënë në drejtim të tij me më shumë se 13 herë me armë pistoletë ose automatik të vogël tip Shars.

Marku ka marrë tre plumba dhe makina që udhëtonte është përplasur disa herë me trafikndarësin, deri sa ka ndaluar. Ndërkohë, makina e përdorur nga autorët për vrasjen e 30-vjeçarit Kristjan Marku në Novoselë është gjetur e djegur rreth 100 metra larg vendngjarjes.

Pista kryesore e hetimeve është hakmarrja mes fiseve Reçi e Bardhi në Rrëshen. Vëmendja e policisë është përqendruar në Rrëshen. Sipas burimeve, blutë kanë kryer gjatë natës kontrolle edhe në banesën e familjes Reçi, ku janë shoqëruar katër anëtarë të këtij fisi. Ata janë marrë në pyetje në lidhje me krimin, por kanë mohuar të kenë dijeni dhe lidhje me ekzekutimin e 30-vjeçarit.

Përplasja mes fiseve

Viktima, dyshohet të jetë autor në ngjarjen e datës 26 mars 2023, rreth orës 19:00, ndodhur në Rrëshen të Mirditës. Përplasja nisi mes dy të rinjve, Enrik Bardhi dhe Saimir Reçi, të cilët ishin konfliktuar fizikisht. Shkaku ishte një parakalim i gabuar me makinë. Por sherri nuk u shua me aq. Enrik Bardhi shkoi në banesë dhe mori armën e zjarrit për të qëlluar bashkëmoshatarin e tij. Bashkë me Enrikun, ka shkuar edhe i ati, Martin Bardhi dhe kushëriri i të riut, të cilët kanë qëlluar në drejtim të makinës së blinduar të Saimir Reçit. Ky i fundit, si pasojë e të shtënave, humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me bordurën e rrugës.

Por përplasja duket se nuk u la më aq! Në shtator të po atij viti, në kafenenë e qytetit u vra Martin Bardhi, vetëm pak muaj sapo kishte dalë nga burgu. Për ngjarjen u mor në pyetje Saimir Reçi, por ky i fundit mohoi se kishte lidhje me vrasjen. Familja Bardhi dhe Reçi njihen për armiqësitë me njëra- tjetrën. Për më tepër kur Martin Bardhi është përfolur edhe për përfshirjen në vrasjen e Kastriot Reçit me snajper në mes të qytetit të Rrëshenit./ZËRI

Poll

MOS HUMB