
DURRËS- Brenda 24 orëve një tjetër operacion është zhvilluar në Durrës, ku janë sekuestruar sasi të mëdhaja të naftë të kontrabanduar nga Tunizia. Në pranga kanë rënë 6 persona dhe në hetim janë 5 të tjerë, sirianë, egjiptian dhe shqiptarë, pjesëtarë të ekuipazhit të anijes. Gjithashtu policia ka shpallur në kërkim 2 organizatorët e dyshuar të këtij aktiviteti kriminal.
Te arrestuarit jane Mohammed Sallit, Wissan Broud, Hassan Broud, Sami Shanta, Faez Ismaeil, Nedio Mejdani. Ndërkohë vijon puna për kapjen e shtetasve Eduart Skora dhe Florian Biba, ndërsa në kuadër të operacionit “Ari i zi 2”, vijon puna për kapjen e shtetasve Juxhin Koka dhe Serxha Sula.
Një ditë më parë (13 janar) 670 mijë litra naftë është sekuestruar në portin e Durrësit, ndërsa u arrestuan 3 persona. Karburanti vinte nga Tunizia me anijen që mbante flamur të Tanzanisë, 'Aya Zanouby'.
Njoftimi i policisë:
Operacioni “Ari i zi 2”, sekuestrohen 400 000 litra naftë dhe anija në balastrat e së cilës ishte fshehur kjo sasi, me qëllim kontrabandimin.
Në pranga 6 shtetas dhe në hetim 5, sirianë, egjiptian dhe shqiptar, pjesëtarë të ekuipazhit të anijes.
Shpallen në kërkim 2 organizatorët e dyshuar të rastit.
•Dje, gjatë operacionit “Ari i zi”, u sekuestruan 670 000 litra naftë e kontrabanduar me të njëjtën mënyrë, si dhe u identifikuan 10 shtetas të implikuar në rast.
Në vijim të veprimeve policore, me qëllim goditjen e rasteve të kontrabandimit të sasive shumë të mëdhaja të naftës, nga Tunizia, me anije, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Durrës, Antikontrabanda dhe Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Durrës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare e DPPSh-së, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Durrës, Guardia di Finanza Durrës, si dhe Dega e Doganës Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Ari i zi 2”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit sirianë M. S., 56 vjeç, kapiteni i anijes, W. B., 42 vjeç, ndihmës i oficerit të parë, H. B., 47 vjeç, shefi i inxhinierëve, S. Sh., 25 vjeç, shefi i ofiçinës, F. I., 23 vjeç, mirëmbajtës i pompave të naftës, si dhe shtetasi shqiptar N. M., 34 vjeç, oficer i parë i anijes.
Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim organizatorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit J. K., 31 vjeç, banues në Tiranë, dhe S. S., 32 vjeç, banues në Durrës. Vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Më tej, gjatë këtij operacioni, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 5 pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit të anijes, përgjegjës për mirëmbajtjen e mjetit.
Nga kontrolli në anije, në balastrat që shërbejnë për balancimin e mjetit, u gjetën 400 000 litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI