TIRANË- Reperi dhe TikToker-i i njohur Kleviol Ahmeti i njohur me pseudonimin “Cllevio” është ekstradua nga Dubai në Shqipëri. 39-vjeçari i kërkuar nga autoritetet në Tiranë dhe Fier për përndjekje dhe për thyerje të masës së sigurisë. Në 2024, Gjykata e Apelit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, nën akuzë për përndjekje të Rigels Rajkut (Noizy) dhe familjes së tij. Po në të njëjtin vit është dënuar me 9 muaj burg për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Njoftimi:
Interpol Tirana/ Ekstradohet nga Dubai në Shqipëri, një 39-vjeçar i kërkuar nga autoritetet në Tiranë dhe në Fier, për përndjekje dhe për thyerje të masës së sigurisë.
Në vijim të bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit, me zyrën e Interpol Abu Dhabit, me objektiv kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, të cilët synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare, duke qendruar në Dubai, u lokalizua dhe u kap, në kuadër të operacionit “The ëanted”, shtetasi K. A., 39 vjeç, i lindur në Lushnjë.
Ky shtetas kërkohej ndërkombëtarisht sepse në vitin 2024, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”, pasi akuzohet se për disa vjet, ka përndjekur fizikisht dhe në rrjete sociale, shtetasin R. R. dhe familjarë të tij.
Gjithashtu, 39-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Fierit, në vitin 2024, me 9 muaj burgim, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Kujtojmë se Kleviol Ahmeti në Shqipëri është denoncuar nga reperi Rigels Rajku, për kërcënime dhe përndjekje ndaj tij. Konfliktet me Noizyn nisën kur Ahmeti, edhe pse në masën e sigurisë "arrest shtëpie", shkoi tek lokali i reperit në Durrës, ku edhe u qëllua me grusht nga reperi. Sërish i riu nga Lushnja përfundoi në burg për shkelje të masës së sigurisë. Me daljen nga burgu, nisi sërish kërcënimet dhe ofendimet në rrjetin social "TikTok", e përgjatë një viti, bizneset e reperit Noizy (makina Ferrari, lokali dhe dyqani i rrobave) janë shkrumbuar disa herë.
Për djegien e Ferrarit me vlerë 300 mijë euro, autori i ngjarjes, Siar Konti nga Vlora, është arrestuar dhe gjatë deklaratës së tij, ai ka zbuluar se pas ngjarjes fshihet reperi, Cllevio Serbiano. Nga ana tjetër, Kleviol Ahmetaj, ka deklaruar për policinë se nuk ka asnjë lidhje./ZËRI