Aktualitet

Ekstradohet nga Britania në Shqipëri anëtari i grupit të Laert Haxhiut, Lorenc Lala

Lala akuzohet se ka porositur një vrasjen e Albi Bashaliut në fshatin Gjocaj të Peqinit.

F.I
Ekstradohet nga Britania në Shqipëri anëtari i grupit të
Lorenc Lala

TIRANË-Është ekstraduar nga Londra, Mbretëria e Bashkuar, drejt vendit tonë shtetasi Lorenc Lala, alias (Kristian Lala, Ilir Lamberti, 49 vjeç. Lala akuzohet se ka porositur një vrasjen e Albi Bashaliut në fshatin Gjocaj të Peqinit. Bashaliu u vra në 2021 nga grupi i Laert Haxhiut, kundrejt pagesës prej 50 mijë eurosh të dhëna nga Lala.

49-vjeçari u arrestua në Britani më 19 qershor 2025. Lala është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan, me vendim Nr. 691 datë 01.10.2023, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Vrasje për gjakmarrje”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Njoftimi i policisë:

Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.

Ekstradohet nga Mbretëria e Bashkuar, 1 shtetas që akuzohet se ka siguruar mjete dhe kushte për vrasjen e një shtetasi, në vitin 2021, në fshatin Gjocaj, Peqin. Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve në Mbretërinë e Bashkuar, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit:

-L. L. alias K. L. alias I. L., 49 vjeç, lindur në Lushnjë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin e datës 01.10.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

49-vjeçari dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit L. H., A. T., L. S., E. Xh. dhe B. B., për të kryer vrasjen e shtetasit A. B., më datë 27.12.2021, në fshatin Gjocaj, Peqin.
Ai dyshohet se ka siguruar armët për kryerjen e këtij krimi dhe mjetet e transportit për largimin e pjesëtarëve të tjerë të grupit kriminal, nga vendi i ngjarjes.

Sipas rrëfimit të bashkëpunëtorit të SPAK, Artan (Marjus) Tafani, vrasjen e Bashaliut e ka kryer ai së bashku me Lulzim Arapin, Bledar Berberin, Enrico Xhahysën dhe Laert Haxhiun. Shuma financiare, 50 mijë euro, është paguar nga Lala tek Laert Haxhiu. Pasi ka marrë paratë, Haxhiu ka mobilizuar grupin e tij për të kryer vrasjen. Tafani, ka pranuar pjesëmarrjen në vrasjen e Bashaliut, duke treguar se këtë krim e ka orkestruar Laert Haxhiu, me financimin e familjes së Ylber Xhahysës, me qëllim hakmarrjen për vrasjen e Ylberit nga Leonard Bashaliu, në vitin 2021./ZËRI

Poll

MOS HUMB