TIRANË- Endri Çopja dhe Horgito Peqini janë dy personat që dyshohet se kanë goditur drejtorin e Ujësjellësit të Elbasanit, Luan Tabaku, gjatë një konflikti të ndodhur në mes të qytetit. Një ngjarje që raportohet se ka ndodhur mëngjesin e së dielës, 6 shtator, por është raportuar këtë të enjte, për shkak të moskallëzimit të të dëmtuarit.
Dy personat e dyshuar nuk janë emra të panjohur për autoritetet. Bëhet fjalë për dy persona me precedentë penalë, emra të njohur për autoritetet, dhe që rezultojnë të jenë përmendur më herët në ngjarje kriminale të ndryshme.
Por, kush janë Endri Çopja dhe Horgito Peqini dhe çfarë lidhjesh kanë pasur më herët me drejtësinë?
Endri Çopja është një emër i njohur më herët për autoritetet. Emri tij rezulton si një ndër të arrestuarit për atentatin me eksploziv ndaj Lulzim Kullës, ngjarje e ndodhur më 13 janar në Shkodër. Lidhur me këtë ngjarje, Endri Çopja ka qenë nën hetim për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese, të mbetur në tentative”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Shkatërrim të pronës me eksploziv”. Më pas, për Çopjan, vepra penale është zbutur në “Sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasjen”. Sakaq, Çopja u la lirë pasi nuk u siguruan prova të mjaftueshme për ta lidhur me atentatin.
Ndërkohë, në rastin e përplasjes me Luan Tabakun, pista që po verifikohet dhe përfshin Endri Çopjan, është një konflikt i mundshëm për punësimin. Pasi, sipas të dhënave paraprake, dyshohet se Tabaku kishte larguar nga puna bashkëshorten e Çopjas në Bashkinë e Elbasanit. Kjo pistë, megjithatë, mbetet e pakonfirmuar dhe është pjesë e hetimit.
Horgito Peqini është personi tjetër i dyshuar në ngjarjen e Elbasanit. Ai është nipi i Eduart Peqinit, i njohur në Elbasan me nofkën “Mandela”. Peqini është liruar nga burgu vetëm pak kohë më parë, ku kishte vuajtur një dënim për një vrasje të ndodhur në vitin 2022. Bëhet fjalë për vrasjen e Madrid Ulqinakut në 17 Gusht në bulevardin e Elbasanit, për të cilën Horgito u arrestua si personi i cili e kishte qëlluar me armë 33-vjeçarin duke e lënë të vdekur në vend. Gjatë seancës në gusht të 2022, Horgito mori përsipër aktin e vrasjes, duke kërkuar që të lirohet miku i tij.
Emri i tij është rikthyer tashmë në vëmendje të autoriteteve pas dyshimeve për përfshirjen në sulmin ndaj Luan Tabakut, ndërsa Policia po verifikon rrethanat e plotë të konfliktit, motivin dhe rolin konkret që dy personat kanë pasur në ngjarje.
Megjithatë, deri më tani, nuk ka asnjë person të ndaluar në lidhje me ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të saj dhe në vijim pritet edhe një njoftim nga autoritetet./ZËRI
