
ITALI- Një shqiptar është vrarë jashtë një lokali. Ngjarja e rëndë ka ndodhur të dielën, më 24 nëntor, përpara një lokali në Bettola, një qytet i vogël në provincën e Piacenzas. Viktima, 42-vjeç, Nikolin Nika është qëlluar 3 herë me kaçavidë në qafë. Sipas mediave italiane, kur mbërriti ndihma, ai ishte i shtrirë në trotuar në një pellg gjaku. Edhe mjekët tentuan ta ringjallnin, por gjithçka ishte e kotë.

Viktima me origjinë shqiptare jetonte prej vitesh në Bettola me familjen e tij dhe punonte në një kompani lëndë druri. Nika është me origjinë nga Shkodra dhe jetonte prej vitesh në Bettola. Ai la pas gruan dhe dy fëmijët, njëri 9 vjeç dhe tjetri i lindur një vit më parë.
Më pak se dy orë pas ngjarjes, një i dyshuar u arrestua në një shtëpi në Bettola. Burri u dërgua në mbrëmje në Komisariatin e Policisë, ku edhe po merret në pyetje. Aktualisht, ndaj 62-vjeçarit shqiptar të arrestuar (ende i paidenfikuar me emër) është ngritur akuza e vrasjes me dashje dhe do të mbahet në paraburgim.
Edhe 62-vjeçari raportohet se ka pësuar disa lëndime në fytyrë dhe krahë, pasi ka pasur përleshje mes tyre. Mbetet e paqartë dinamika dhe shkaqet e krimit të rëndë, por mendohet se sherri mes viktimës dhe autorit ka nisur në lokal. Për të zbardhur më shumë detaje, Policia sekuestroi edhe kamerat në zonë, për të zbuluar më shumë prova dhe pamje./ZËRI