
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur shtyrjen edhe sot të seancës paraprake për të ashtuquajturën dosja "Partizani". Seanca është shtyrë për në datën 16 dhjetor, në orën 11:00. Vendimin e kalimin për gjykim të dosjes do ta marrë gjyqtarja Floreja Davidhi. Në seancën e fundit, më 24 tetor gjyqtarja Davidhi, pranoi kërkesën e mbrojtjes për ta shtyrë shqyrtimin me qëllim që t'i jepej kohë palës mbrojtëse për tu njohur me aktet. Kështu që seanca u la për ditën e sotme. Por u shty sërish edhe sot.
Pas seancës, avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj tha se ankimi i bërë nga ai për çështjen e ligjshmërisë së masës së sigurisë së dhënë ndaj kryetarit të PD është kaluar për debat në Gjykatën Europiane të të Drejtave të njeriut në Strasburg.
“Strasburgu ka kaluar për debat ankimin e bërë nga ne për masat e sigurisë ndaj Berishës. Çështja ka kaluar në filtra në kohë rekord. E kanë konsideruar si çështje prioritare,”-tha avokati teksa dilte nga godina e SPAK.
Një reagim erdhi edhe nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili po mbante një konferencë me gazetarët.
"Dua të informoj se sapo më njoftojnë se Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në Strasburg e ka klasifikuar rastin ‘Berisha’ si leading, pra të rëndësishëm, dhe e kanë komunikuar shumë shpejt këtë njoftim, pa pritur shterim të mjeteve të brendshme, për çka unë u jam shumë mirënjohes kësaj gjykate që është edhe garante kryesore e të drejtave të njeriut. Besoj se avoketërit e mi do paraqesin aty të gjithë vërtetat e sistemit politik, e shndërrimit të drejtësisë në një armë politike në Shqipëri. Shpreh besimin tim të plotë në vlerësimet dhe gjykimet e kësaj organizate, garante e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, konventë që i bën qytetarët europianë më të lirë se kurrë në historinë e tyre. Duke përfunduar, ftoj qytetarët shqiptarë edhe njëherë, nesër në ora 5, marshim në Tiranë, Tirana në duart e qytetarëve. Nga të katër anët sirenat e ndryshimit, sirenat e fitores së opozitës po ushtojnë. Këto sirena kërkojnë nga ne, qytetarët opozitarë, të meritojnë plotësisht këtë fitore me aksionin tonë, me veprimin tonë, me mosbindje civile,"-tha kryedemokrati.
Për këtë çështje, SPAK ka ngritur akuzë për kreun e Partisë Demokratike Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina. Nëse çështja kalon për gjykim dhe në fund, nëse shpallet fajtor kryedemokrati Sali Berisha mund të dënohet nga 4 deri në 12 vite burg për veprën penale “Korrupsion pasiv”, ndërsa për dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili po hetohet edhe për pastrim parash, masa e dënimit mund të variojë nga 5-15 vite heqje lirie.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet lidhur me çështjen e ish-kompleksit "Partizani". Kështu, dy hetuesit Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai dorëzuan tashmë të përmbyllur dosjen në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkë me kryedemokratin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, akuzë penale është ngritur për dy biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja, si edhe noteren Andia Pustina.
Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të "korrupsionit pasiv" të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t'iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Ndërsa ky i fundit, akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë” dhe per “pastrim parash”. /ZËRI