
TIRANË- Ish-deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi është paraqitur sot në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të Organizuar. Pasi ka dhënë deklaratat e tij për më shumë se 1 orë e gjysmë, detajet nga deklarimi para prokurorit Klodian Braho, Këlliçi i ka dhënë para mediave. Në fjalën e tij për gazetarët ka treguar se ishte thirrur si kallëzues për të dhënë deklarime lidhur me të ashtuquajturën dosja "5D". Sipas tij, çështja është ende nën hetim, por për të nuk është e plotë nëse nuk vendoset nën akuzë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
"Një mëngjes i zakonshëm për mua duke vijuar punën me denoncime për aferat korruptive në Bashkinë e Tiranës. Sot u thirra nga prokurori Klodian Braho për dosjen "5D". Për ato pjesë që janë pjesë e sekretit hetimor, nuk kam ndërmend që t'i bëj publike, por dua të ndalem në deklaratat e mia. Vijoj ti qëndroj ankesës së GJKKO që kërkon hetimin e shtetases Jona Bejko se hoteli në Durrës është në pronësi të "lali Erit". Të hetohet roli i Nestor Muhametllarit, i cili është i lirë dhe nuk ka ende asnjë masë. Dëshmia e tij mund të jetë kyç për këtë aferë. Të hetohet roli i autoritetit kontrator që deri në 2021 ka qenë Erion Veliaj dhe më pas është mbajtur posti nga Arbër Mazniku. Kam kërkuar nga SPAK që të hetohen krimet zgjedhore. Kam kërkuar të shihet roli i Elton Kacidhes, të shihen pallatet në Kinostudio dhe të thellohet organi i akuzës në këtë rast spektakolar vjedhjeje. Kam kërkuar edhe të vlerësohet i gjithë dëmi ekonomik që i është shkaktuar buxhetit të shtetit. Puna po vijon, çështja është nën hetim. Nuk mbyllet ky hetim vetëm me nga një masë ndaj tyre mesa kam kuptuar. I ashtuquajturi koleg i agjentëve të BKH dhe prokurorëve të SPAK nuk do të gjejë rehat pa shkuar para ligjit. SPAK do vijoj ta kritikoj...për inceneratorin e Tiranës. Ka 4 vite kjo çështje dhe SPAK ka frikë ti përmendë emrin Erion Veliajt. Në rastin e "5D" ka pasur tjetër ritëm prokuroria. Ky grup i plotëson të gjitha kushtet për t'u hetuar si grup kriminal,"-tha Këlliçi para gazetarëve.
DOSJA 5D
Zyrtarët e Bashkisë së Tiranës Bashkisë akuzohen nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Orhanizuar se kanë krijuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin një skemë korrupsioni që ka mundësuar përfitimin e dhjetëra tenderave publikë nga një kompani private, që dyshohet se zotërohet “de facto” nga Redi Molla dhe Mariglen Qato. I pari ish-drejtor i Ujësjellësit të Tiranës dhe i dyti ish-drejtues i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, aktualisht administrator i ndërmarrjes së Bashkisë, Tirana DC. Qato dhe Molla u arrestuan pasi Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tyre, ndërsa 5 zyrtarë të tjerë u lanë në masën e arrestit “detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore”. Gjykata ka vendosur gjithashtu arrest me burg edhe për Taulant Tushën, një tjetër ish-drejtues i rëndësishëm i Bashkisë së kryeqytetit që ndodhet aktualisht në qeli për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Të gjithë së bashku, sipas SPAK, gjatë kohës që ushtronin detyrën favorizonin kompanitë e tyre për të përfituar nga tenderat publikë./ZËRI