
BRITANI E MADHE- Alket Dauti është shpallur fajtor për hyrje ilegale në Mbretërinë e Bashkuar. E gjitha kjo ndodhi pas një hetimi të "Dailymail" që çoi në prangosjen e tij. Dauti, 38 vjeç, u arrestua një javë pasi Home Office zbuloi se si ai kishte rihyrë fshehurazi në Mbretërinë e Bashkuar disa muaj pasi u lirua nga burgu në Belgjikë dhe u deportua në Shqipëri. Ai kishte postuar një video në rrjetin social "TikTok" ku shfaqej duke i dhënë makinës nëpër rrugët e Londrës.
Edhe të afërmit e tij ngarkuan foto të tij duke dërguar dy vajzat e tij në shkollë. Një javë pasi lajmi u publikua në "Dailymail", shqiptari u vendos në pranga. Ai u deklarua fajtor për 'hyrjen pa leje në MB', por vendimi për dënimin e tij do të jepet më 12 maj.
Ai mund të dënohet me katër vjet burg dhe më pas ka të ngjarë të dëbohet nga vendi. Shqiptari ishte anëtar "kyç" i një bande shqiptare që sillte emigrantë nga Belgjika në Mbretërinë e Bashkuar, duke paguar 8,000-13,000 £ për t'u futur në Angli me kamion. Dauti u arrestua në banesën e tij në Penge në vitin 2018 dhe u deportua në Belgjikë, ku ishte dënuar në mungesë me dhjetë vjet.
Ai u lirua dhe u deportua në Shqipëri vitin e kaluar, e më pas është rikthyer në Itali./ZËRI