
TIRANE- Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti ka hyrë paraditen e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, (SPAK). Hoti është thirrur për tu pyetur pas tensioneve të dy seancave të shkuara në Kuvend, ku ajo spërkati me spraj tapetin e sallës së Kuvendit, atje ku zhvillohej seanca plenare.
Gjesti i Hotit çoi në përjashtimin e saj nga seanca, ndërkohë që deputetët e PS, akuzuan Hotin se spraji ishte me benzinë, ndërkohë që demokratja u mbrojt duke thënë se ishte një parfum. Tashmë çështja është në SPAK aty ku Hoti, dha sqarime për sprajin që përdori në Kuvend.
Në dalje të SPAK, Hoti tha se "Deklarova atë që deklarova që Kuvend. është akuzë qesharake. Sot shqetësimi për shqiptarët duhet të jetë masakra në Shkodër dhe sesi shteti i të drejtës i është dorëzuar krimit. Bandat bëjnë terror, drejtësia duhet të ngrihet dhe të ketë guxim për të goditur bandat kriminale. Sot drejtësia duhet të shqetësohet sesi bandat vendosin drejtorët e policisë. Sot kemi një polici që i është kundërvënë shqiptarëve dhe opozitës."/ZËRI