TIRANË-Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka urdhëruar disa kontrolle në Tiranë dhe Vlorë në kuadër të hetimeve që po zhvillon për dyshimet mbi tjetërsimin e pronave në zonën e Zvërnecit. Paraprakisht raportohet se në listën e kontrolleve është Pëllumb Petriti, ish-avokati që falsifikoi pronat për llogari të Artur Shehut.
Po ashtu kontrolle janë zhvilluar edhe te Redi Struga, inxhinier dhe administrator i kompanisë projektuese “InfraKonsult” sh.p.k. Kompania e Strugës ka blerë sipërfaqe të mëdha pronash në Zvërnec nga zotërues të tjerë, të cilat po verifikohen nga prokurorët për mënyrën se si janë përfituar fillimisht.
Në hetim janë edhe 3 kompani të tjera, në pronësi të 3 biznesmenëve të njohur, njëri prej të cilëve është i shpallur në kërkim. Kontrollet dyshohet se kanë qenë të lidhura me ngjarjen e ndodhur në Zvërnec. BKH ka kontrolluar dosjet në lidhje me projektin e Zvërnecit, por edhe faktin se si është administruar ngjarja nga Policia e Qarkut. Lidhur me aksionin e ndërmarrë ende nuk ka një njoftim zyrtar nga autoritetet./ZËRI