
GREQI-Detaje të reja janë zbardhur nga dosja e “Sky ECC” dhe “Encrochat” që çoi në dhjetëra arrestime në Greqi, të dyshuar si anëtarë të një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës midis Greqisë, Shqipërisë dhe Spanjës. Mediat greke raportojnë se janë të paktën edhe 47 përdorues të platformave të kriptuara ende të paidentifikuar.
Dy prej tyre, përdorues vetëm të “Sky ECC” konsiderohen furnizues të rëndësishëm me lëndë narkotike të dy prej grupeve kriminale, konkretisht atij të drejtuar nga Aleksandër Pando dhe tjetrit të drejtuar nga Denis Grabocka dhe Andon Salati.
Një tjetër përdorues i paidentifikuar i platformës “Encrochat”, rezulton si ndërmjetës i transferimit të shumave të mëdha të parave të organizatës kriminale përmes sistemit “Hawala” përmes një dyqani në rrugën “Axarnon nr.101” në Athinë. Për të gjithë këta personazhe të paidentifikuar, autoritetet greke po punojnë për të lidhur kodet e tyre me emrin konkret me qëllim vendosjen e tyre para përgjegjësisë penale.
Nga operacioni i zhvilluar në vendin fqinj, janë lëshuar 28 urdhra arresti, ku 24 janë ekzekutuar, ndërkohë që janë sekuestruar dhjetëra kilogramë kokainë, mbi 1 mijë bimë kanabisi, 140 kg hashash dhe mbi 200 mijë euro cash në kuadër të një operacioni që po zhvillohet në Greqi, pas zbërthimit të komunikimeve në platformën SKY ECC.
Mesazhet e shkëmbyera kanë zbardhur dhe ngjarje kriminale. Një prej tyre është ajo e Ari Papës, shqiptarit që u ezkekutua në vitin 2021. Urdhri për ekekutimin e Papës dyshohet se është dhënë nga Aleksandër Sadikaj, i cili u vra në Tiranë me shpërthimin e një lëndë eksplozive në makinë, në vitin 2022. Në total janë zbardhur rreth 70 episode të trafikut dhe shitjes së drogës, në periudhën mars 2020 – mars 2021. Bisedat kanë zbuluar edhe korrupsionin e zyrtarëve të burgut të Koridhalos, të cilët në këmbim të parave trajtonin disa të dënuar në mënyrë të privilegjuar, duke u futur edhe vajza në qeli.