TIRANË-Seanca e rradhës në GJKKO lidhur me dosjen Partizani, ku të pandehur kryedemokrati Sali Berisha dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, Xhimi Begeja, Fatmir Bektashi dhe Andia Pustina, do të mbahet më 20 korrik. Në seancën e radhës pritet të dëshmojnë ish-Presidenti, Bamir Topi, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ish-drejtori i klubit Partizani, Isa Tare dhe Paro Laçi.
Tare pritej të dëshmonte sot, por nuk është paraqitur për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. SPAK ka deklaruar se nuk ka një akt që vërteton se Isa Tares i është hequr e drejta e për të vepruar (dmth i paaftë për shkak te sëmundjes) dhe në këto kushte ka kërkuar nga GJKKO që të ripërsërisë thirrjen.
Në cilësinë e dëshmitarit në seancat e fundit janë paraqitur ministrat Ylli Pango dhe Gazment Oketa, si dhe kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
Në çështjen "Partizani", Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi SPAK pretendon se gjatë periudhës kur ishte kryeministër, ai favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin në përfitimin e pronës, duke i hapur rrugë përfitimeve të parregullta në vlerë prej 5.4 milionë eurosh nga një biznes ndërtimi.
