Aktualitet

Dosja 'Partizani', kërkoi shfuqizimin e arrestit, Kushtetuesja rrëzon Berishën

Kërkesa e Berishës u rrëzua pasi Gjykata vlerësoi proporcionalitetin e masës së arrestit në shtëpi.

k.m.
Dosja 'Partizani', kërkoi shfuqizimin e arrestit, Kushtetuesja
Foto ilustruese

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e bërë nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili kërkoi shfuqizimin e vendimit “arrest shtëpie”. Kërkesa e Berishës u rrëzua pasi Gjykata vlerësoi proporcionalitetin e masës së arrestit në shtëpi. Po ashtu, sipas vendimit, masa e arrestit të shtëpisë kërkuar nga SPAK dhe më pas e caktuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ishte legjitime pasi Berisha kishte kundërshtuar masën e mëparshme. Atë të detyrimit të paraqitjes, ndaj në këto kushte, sipas GJK-së, ashpërsimi i masës ishte propocional. 

Në lidhje me pretendimin për procedurën parlamentare për dhënien e autorizimit nga Kuvendi, Gjykata Kushtetuese me shumicë votash çmoi se ky pretendim është i pabazuar.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata, pasi shqyrtoi fillimisht kriteret e legjitimimit të kërkuesit, arriti në përfundimin se: ai legjitimohet si për kundërshtimin e vendimeve gjyqësore për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, ashtu edhe për kundërshtimin e procedurës së ndjekur nga Kuvendi për dhënien e autorizimit për caktimin ndaj tij të masës së arrestit në shtëpi.

Gjykata vlerësoi se pretendimet në lidhje me pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave të posaçme për shkak të ligjit nr. 95/2016 nuk mund të merret në shqyrtim pasi përbën gjë të gjykuar. Po kështu pretendimet në lidhje me parimin e sigurisë juridike për shkak të paqartësisë së dispozitave procedurale penale që lidhen me kohën e ekzekutimit të masave të sigurimit, nuk mund të merren në shqyrtim pasi kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet juridike. Për sa i takon themelit të çështjes, duke mbajtur në konsideratë argumentet, parashtrimet dhe prapësimet e palëve, Gjykata vlerësoi se: Në lidhje me pretendimin për procedurën parlamentare për dhënien e autorizimit nga Kuvendi, sipas nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, Gjykata me shumice votash çmoi se ky pretendim është i pabazuar. Në lidhje me pretendimet për cenim të lirisë personale (neni 27 i Kushtetutës), të lidhur me te drejtën për t’u zgjedhur (neni 45 i Kushtetutës), Gjykata i vlerësoi ato në dy aspekte: në aspektin procedural dhe aspektin substancial. Në aspektin procedural, Gjykata vlerësoi procesin gjyqësor në të cilin ishte vendosur zëvendësimi i masave të sigurimit me atë të arrestit në shtëpi në drejtimet e mëposhtme: parimi i paanshmërisë së gjykatës i lidhur me të drejtën e mbrojtjes efektive; së drejtës së aksesit të lidhur me standardin e arsyetimit të vendimit. Gjykata me shumicë votash vlerësoi se këto pretendime nuk janë të bazuara.

Në aspektin substancial Gjykata vlerësoi proporcionalitetin e masës së arrestit ne shtëpi në drejtim të nevojës, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë. Gjykata bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës, për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh. Në përfundim Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Aktualisht Berisha është në liri, por me masën "detyrim paraqitje", 2 herë në javë. Por SPAK ka kërkuar që kryedemokrati të kthehet në arrest shtëpie duke ankimuar vendimin e GJKKO-së. Ndërkohë SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv./ZËRI

Poll

MOS HUMB