
TIRANË-Sot në GJKKO zhvillohet seanca e radhës për dosjen "Partizani" në ngarkim të ish-kryeministrit dhe liderit aktual të PD-së, Sali Berisha dhe të pandehurve të tjerë. Ish-ministri i Ekonomisë Genc Ruli ka mbërritur në GJKKO për të dëshmuar në gjyqin e dosjes "Partizani".
ZËRI më herët ka zbardhur edhe një bisedë mes Genc Ruli, ministër Ekonomie asokohe, si dhe Sali Berishës nga dosja hetimore, në lidhje me ndryshimin e akteve nënligjore për blerjen e pronave shtetërore nga ish-pronarët. Më 17 dhjetor 2008 në mbledhje e qeverisë Genc Ruli i lavdëron Berishës një VKM për ndryshimin e metodologjisë së pagesës së vlerës së objektit, i cili më parë bëhej vetëm në lekë, ndërsa tani parashikohet të bëhet 20% në lekë dhe 80% në bono privatizimi dhe letra me vlerë.
Biseda:
Sali Berisha: Ky projektvendim është propozuar nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Jemi dakord?
Genc Ruli (ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës): Për këtë mund të them një shpjegim se çfarë kemi bërë.
Sali Berisha: Po, e di, keni zgjidhur çështjen e ankandit.
Genc Ruli: Jo, ankandi është veç doktor por futëm 20% me lekë dhe 80% me letra me vlerë.
Sali Berisha: Bravo, jepe këtë njoftim, se edhe kjo përbën risi. Ma thuaj, si jua keni vlerësuar letrat me vlerë juve këtyre? Unë do të mbroj pronarët, do të bëj avokatin e tyre. Dmth si t'ja bëjmë që t'i favorizojmë, t'i marrim ato, se ja ke mbajtur tjetrit, ti e ke shfrytëzuar.
Ritvan Bode (Ministër i Financave): Ne po ia lehtësojmë tani, ai e paguante 100% me para, tani po i themi do ta paguash me letra me vlerë.
Genc Ruli: 20% me lekë dhe 80% me letra me vlerë.
Sali Berisha: Vetëm se na del një problem këtu, na rrit kursin e letrave me vlerë shumë kjo pastaj.
Ridvan Bode: Oferta e letrave me vlerë është shumë e madhe në krahasim me këtë tjetrën.
Sali Berisha: Atëherë çfarë duhet të bëjmë ne me letrat me vlerë, se unë për letrat me vlerë po mendoj me çdo kusht që t'u qëndrojmë, por nuk mund t'i qëndrojmë 800 mijëshit, ajo ka qenë një gjë jashtëzakonisht e rëndë që na u imponua, për shkak të lekëve privatizimit të përndjekurve, kështu që ne do t'i etalonim me vlerë.
Ritvan Bode: I kemi etaluar është pjesë e vendimit, ky vendim i ka të gjitha brenda.
Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së të pandehurit Fatmir Bektashi dhe të avokatit të tij, Sokol Hazizaj. Gjykata vendosi të njoftojë për seancën e sotme disa dëshmitarë të kërkuar nga SPAK, mes të cilëve ish-ministri i Ekonomisë, Genci Ruli, si edhe ish-presidenti i “Partizanit”, Paro Laçi.
Në çështjen "Partizani", Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi SPAK pretendon se gjatë periudhës kur ishte kryeministër, ai favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin në përfitimin e pronës, duke i hapur rrugë përfitimeve të parregullta në vlerë prej 5.4 milionë eurosh nga një biznes ndërtimi. Përveç Berishës dhe Malltezit, të pandehur në këtë dosje janë edhe ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe financierja Andia Pustina./ZËRI

