Aktualitet

SMS mashtruese për gjoba/ APELI i Autoritetit për Sigurinë Kibernetike dhe Policisë: Kujdes, marrin të dhënat!

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo financiare në faqe të paverifikuara dhe të mos ndajnë me askënd kodet e sigurisë.

F.I
SMS mashtruese për gjoba/ APELI i Autoritetit për Sigurinë
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka zbuluar një skemë të re mashtrimi që synon qytetarët shqiptarë përmes SMS-ve për gjoba trafiku të papaguara. Pas linkeve të dërguara në këto mesazhe fshihen faqe të rreme që kopjojnë e-Albania dhe synojnë përvetësimin e të dhënave personale e bankare.

Edhe Policia e Shtetit ka lëshuar një apel për qytetarët pas raportimeve të shumta për mesazhe mashtruese që pretendojnë në mënyrë të rreme ekzistencën e gjobave apo detyrimeve administrative të papaguara. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë ditës së sotme shumë qytetarë kanë denoncuar se kanë marrë SMS në të cilat u kërkohet të kryejnë pagesa për masa administrative të supozuara. Qytetarëve u dërgohen mesazhe që pretendojnë se kanë gjoba rrugore, detyrime financiare ose procedura administrative në pritje.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo financiare në faqe të paverifikuara dhe të mos ndajnë me askënd kodet e sigurisë.

SMS mashtruese për gjoba/ APELI i Autoritetit për Sigurinë

SMS mashtruese për gjoba/ APELI i Autoritetit për Sigurinë

Njoftimi i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike:

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka identifikuar një fushatë mashtrimi përmes mesazheve SMS, të cilat paraqiten si njoftime për gjoba trafiku të papaguara dhe ridrejtojnë përdoruesit drejt faqeve që imitojnë platformën zyrtare e-Albania me qëllim përvetësimin e të dhënave personale, kredencialeve dhe informacioneve bankare.

AKSK ka ndërmarrë masat e nevojshme duke referuar pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, si dhe pranë AKEP, domain-et dhe adresat IP të përdorura në këtë aktivitet keqdashës për marrjen e masave përkatëse të bllokimit.

Mesazhet përmbajnë lidhje të dyshimta që synojnë të përvetësojnë të dhëna personale, kredenciale dhe informacione bankare.
Për t’u mbrojtur:
* Mos klikoni në lidhje të dyshimta.
* Mos ndani të dhëna personale apo bankare.
* Verifikoni gjithmonë adresën e faqes që po vizitoni.
* Përdorni vetëm kanalet zyrtare për të kontrolluar apo kryer pagesa.

Nëse dyshoni se keni rënë pre e këtij mashtrimi, kontaktoni menjëherë bankën tuaj dhe raportoni rastin pranë autoriteteve përkatëse.

Njoftimi i Policisë: 

Gjatë ditës së sotme, shumë qytetarë kanë raportuar pranë Policisë së Shtetit se kanë marrë mesazhe mashtruese, nëpërmjet të cilave u kërkohet të kryejnë pagesa për masa administrative të pretenduara si të papaguara. Menjëherë pas denoncimeve, strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit kanë nisur verifikimet dhe hetimet për identifikimin e autorëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Mesazhet dërgohen nëpërmjet një skeme mashtrimi kompjuterik të njohur si "Smishing", ku pretendohet në mënyrë të rreme se qytetarët kanë detyrime të papaguara, gjoba rrugore ose procedura administrative në pritje. Këto mesazhe përmbajnë lidhje (linke) që i drejtojnë përdoruesit në faqe interneti të falsifikuara, të ndërtuara për të imituar faqet zyrtare të institucioneve shtetërore.

Nga verifikimet paraprake rezulton se qëllimi i autorëve është përvetësimi i të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve, të cilat më pas mund të përdoren për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe vjedhjen e fondeve nga llogaritë bankare.

Policia e Shtetit sqaron qytetarët se fondet bankare nuk mund të vidhen vetëm nga marrja e një mesazhi SMS. Rreziku lind në momentin kur qytetari klikon mbi lidhjen mashtruese dhe plotëson në faqen e rreme të dhënat e kartës bankare, kredencialet e internet banking-ut, kodet e sigurisë apo kodet e verifikimit të dërguara nga banka.

Për këtë arsye, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve:

* Të mos klikojnë në lidhje të dërguara nëpërmjet SMS-ve nga burime të panjohura ose të dyshimta;

* Të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe interneti të paverifikuara;

* Të mos ndajnë me askënd kodet e sigurisë, PIN-et apo kodet e autentifikimit të dërguara nga institucionet bankare;

* Të verifikojnë çdo njoftim vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucionit përkatës;

* Të kontaktojnë menjëherë bankën e tyre në rast se kanë plotësuar të dhëna bankare në një faqe të dyshimtë;

* Të raportojnë çdo rast të dyshuar pranë Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit vijon monitorimin dhe hetimin e kësaj veprimtarie kriminale dhe fton qytetarët të tregojnë vigjilencë të shtuar ndaj çdo komunikimi elektronik që kërkon të dhëna personale apo financiare.

Lufta kundër krimit kibernetik dhe mbrojtja e qytetarëve në hapësirën dixhitale mbeten prioritete të Policisë së Shtetit.

Poll

MOS HUMB