
TIRANË- Zëri.ai ka zbardhur detaje të tjera nga dosja e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’. Në dosje është zbardhur edhe një bisedë mes Genc Ruli, ministër Ekonomie asokohe, si dhe Sali Berishës, në lidhje me ndryshimin e akteve nënligjore për blerjen e pronave shtetërore nga ish-pronarët. Mbledhja e qeverisë është mbajtur më 17.12.2008, ndërsa ankandi ishte kryer dhe shitja kishte përfunduar. Por me metodologji ndryshe nga më parë. Më parë, blerja bëhej vetëm me lekë, por u ndryshua me 20% në lekë dhe 80% në bono privatizimi dhe letra me vlerë.
Pasi merr lajmin për ndryshimin e ligjit, Berisha shprehet i shqetësuar, për rritjen e vlerës së bonove. Por sqarohet nga ministrat Bode dhe Ruli.
"Letrat me vlerë ua kemi borxh se nuk i kemi shpërndarë, duhet të gjejmë mënyrat që t'i ndihmojmë, t'i heqim këto letrat me vlerë. Këtë e kemi bërë shumë mirë, jam shumë dakord me ty, se nuk i marrim dorë, absolutisht. Jepe këtë lajm, është një lajm shumë i rëndësishëm, që u miratua, që 80% ta paguajmë me letra me vlerë vetëm pronarët. Ai borxh do të shlyhet qeveria ka borxh, ma gjej ti mua mënyrën sesi ta shlyejmë, unë me atë borxh nuk rri, unë do ta shlyej po qe se shqiptarët më japin mandatin e dytë, unë ta them se do t'ua shlyej borxhin. Unë atyre letrave do t'ju qëndroj se kanë një sens ato të shpërndarjes së pasurisë, kanë një bazë shumë morale, shumë të fuqishme, tjetër punë tani nuk po merret kush me këto në botë, por ne do të merremi, nuk kemi se çfarë të bëjmë,"-tha Berisha në mbledhje.
Përfundimisht Këshilli i Ministrave e miratoi projektvendimin!
PJESË nga DOSJA:
Më datë 25.08.2008, nga dega e Shoqërisë Civile është vendosur publikimi për privatizim i objektit "Klubi i Futbollit Partizani". Në njoftim është përcaktuar vlera fillestare e ankandit 10.109.000 lekë. Afati i publikimit fillon më datë 18.08.2008 dhe mbaron më datë 06.09.2008.
Bleraj e Klubit të Futbollit, rezulton se është marrë përsipër nga shoqëria "Kontakt". Me shkresën datë 04.09.2008, Bankka Credins i drejtohet drejtorisë së Administrimit dhe shitjes së pronave Publike, pranë Ministrisë së Financave, me garancinë nr.2810/04.09.2008, duke parashtruar se: Duke qenë se shoqëria Kontakt me administrator Fatmir Bektashi, ka marrë përsipër të realizojë blerjen e klubit të Futbollit Partizani, për llogari të ish-pronarëve të truallit dhe trashgimtarëve të familjeve: Mahmut dhe Xhemal Begeja, Rexhep Alimehmeti, Sabrije Llagami, Dylbere Vaqarri dhe Qamil Saliaga.
Më datë 17.12.2008 është mbajtur procerverbal P.2.27 i mbledhjes së Këshillit të Ministrave për projektvendimin, më poshtë është pasqyruar një pjesë e diskutimeve të mbledhjes në fjalë.
Sali Berisha: Ky projektvendim është propozuar nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Jemi dakord?
Genc Ruli (ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës): Për këtë mund të them një shpjegim se çfarë kemi bërë.
Sali Berisha: Po, e di, keni zgjidhur çështjen e ankandit.
Genc Ruli: Jo, ankandi është veç doktor por futëm 20% me lekë dhe 80% me letra me vlerë.
Sali Berisha: Bravo, jepe këtë njoftim, se edhe kjo përbën risi. Ma thuaj, si jua keni vlerësuar letrat me vlerë juve këtyre? Unë do të mbroj pronarët, do të bëj avokatin e tyre. Dmth si t'ja bëjmë që t'i favorizojmë, t'i marrim ato, se ja ke mbajtur tjetrit, ti e ke shfrytëzuar.
Ritvan Bode (Ministër i Financave): Ne po ia lehtësojmë tani, ai e paguante 100% me para, tani po i themi do ta paguash me letra me vlerë.
Genc Ruli: 20% me lekë dhe 80% me letra me vlerë.
Sali Berisha: Vetëm se na del një problem këtu, na rrit kursin e letrave me vlerë shumë kjo pastaj.
Ridvan Bode: Oferta e letrave me vlerë është shumë e madhe në krahasim me këtë tjetrën.
Sali Berisha: Atëherë çfarë duhet të bëjmë ne me letrat me vlerë, se unë për letrat me vlerë po mendoj me çdo kusht që t'u qëndrojmë, por nuk mund t'i qëndrojmë 800 mijëshit, ajo ka qenë një gjë jashtëzakonisht e rëndë që na u imponua, për shkak të lekëve privatizimit të përndjekurve, kështu që ne do t'i etalonim me vlerë.
Ritvan Bode: I kemi etaluar është pjesë e vendimit, ky vendim i ka të gjitha brenda.
Sali Berisha: Letrat me vlerë ua kemi borxh se nuk i kemi shpërndarë, duhet të gjejmë mënyrat që t'i ndihmojmë, t'i heqim këto letrat me vlerë. Këtë e kemi bërë shumë mirë, jam shumë dakord me ty, se nuk i marrim dorë, absolutisht. Jepe këtë lajm, është një lajm shumë i rëndësishëm, që u miratua, që 80% ta paguajmë me letra me vlerë vetëm pronarët. Ai borxh do të shlyhet qeveria ka borxh, ma gjej ti mua mënyrën sesi ta shlyejmë, unë me atë borxh nuk rri, unë do ta shlyej po qe se shqiptarët më japin mandatin e dytë, unë ta them se do t'ua shlyej borxhin. Unë atyre letrave do t'ju qëndroj se kanë një sens ato të shpërndarjes së pasurisë, kanë një bazë shumë morale, shumë të fuqishme, tjetër punë tani nuk po merret kush me këto në botë, por ne do të merremi, nuk kemi se çfarë të bëjmë. Përfundimisht Këshilli i Ministrave e miratoi projektvendimin.
Jamarbër Malltezi u vu dje në pranga, ndërsa ndaj ish-kryeministrit Berisha është caktuar masa 'detyrim paraqitje' dhe ndalimi i daljes nga Shqipëria. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e hetoi Malltezin për pastrim parash, pas kallëzimit të bërë nga Taulant Balla. Balla, asokohe kreu i grupit parlamentar të PS, kallëzoi për shpërdorim detyre ish-kryeministrin Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami. Ata akuzohen në lidhje me privatizimin e rreth 10.000 m2 të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në qendër të Tiranës, truall i cili para vitit 2008 ishte në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes./Zëri.ai