Aktualitet

Dosja e Jorgo Goros kalon në GJKKO, ish kryebashkiaku i Himarës kërkoi gjykim të shkurtuar

SPAK akuzon Goron për "shpërdorim detyre" në dy raste, gjatë kohës kur ky i fundit ushtronte detyrën si kreu i Bashkisë së Himarës.

k.m.
Dosja e Jorgo Goros kalon në GJKKO, ish kryebashkiaku i Himarës
Jorgo Goro

TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim dosjen për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro. SPAK akuzon Goron për "shpërdorim detyre" në dy raste, gjatë kohës kur ky i fundit ushtronte detyrën si kreu i Bashkisë së Himarës. Ndërkohë që SPAK ka përfunduar me hetimet dhe ka dërguar dosjen në Gjykatë, nga ana e tij, Goro kërkon gjykim të shkurtuar. Sipas Kodit Penal, me këtë kërkesë, në rast se shpallet fajtor, Goros i ulet 1/3 e kohës së dënimit.

Por mbetet për t'u parë nëse kërkesa e Jorgo Goros do të pranohet nga togat e zeza. 

Referuar dosjes së SPAK, i pandehuri Jorgo Goro provohet të ketë shpërdoruar detyrën dy herë, lidhur me tjetërsimin e pronave, sikundër ka fshehur pasuritë e tij. Ish-kryebashkiaku i Himarës u arrestua për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqe tokë, që gjendet në fshatin Gjileke në Dhërmi. Jorgo Goro akuzohet se ka firmosur për tjetërsimin e një prone rreth 5 mijë metra katrorë nga arë bujqësore në sipërfaqe truall.

Në rastin e dytë nëpërmjet dokumentave të firmosura, sërish nga Goro u zhvendos një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, e cila iu vendos një tjetër pasurie, të gjitha në favor të familjes Mëhilli. Më pas, në bazë të këtyre dokumentave, u dha leje ndërtimi për një kompleks turistik nga bashkëshorti i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Artan Gaçi. Aktualisht, Goro dhe Bashi janë në "arrest me burg"; në “arrest shtëpie” janë Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjikoka; ndërsa Stavri Mëhilli është shpallur në kërkim./ZËRI

Poll

MOS HUMB