
SHKODËR- Rreth 680 mijë euro janë gjetur të fshehta në dyert e modifikuara të një furgoni. Mjeti po kalonte në pikën kufitare të Muriqanit, kur gjatë një kontrolli rutinë, punonjësit e Policisë së Shtetit kanë gjetur paratë. Në pranga është vendosur drejtuesi i mjetit, i identifikuar si Lefter Nela, 51 vjeç, nga Fushë Miloti. Paratë janë sekuestruar dhe Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet për të zbuluar se ku do të dërgoheshin. Kjo pasi ka dyshime se paratë janë produkt i veprimtarive kriminale.
NJOFTIMI I POLICISË:
Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Burimi”. Sekuestrohen 680 595 euro që dyshohet se rrjedhin nga krimi. Fshehu paratë, në dyert e modifikuara të automjetit që drejtonte, me qëllim futjen e tyre ilegalisht në Shqipëri, arrestohet 51-vjeçari. Sekuestrohen shuma e eurove, automjeti tip “Benz” dhe 2 celularë. Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacionit të siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar “Burimi”. Gjatë operacionit, u kap në hyrje të Shqipërisë dhe u arrestua shtetasi L. N., 51 vjeç, banues në Fushë Milot. Nga kontrollet në vijë të dytë, në automjetin që drejtonte ky shtetas, u gjetën në 2 hapësira të modifikuara në dyert e pasme, 680 595 euro, të cilat ky shtetas synonte t’i fuste ilegalisht në Shqipëri. Vijojnë hetimet për të provuar burimin e parave. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./ZËRI