Aktualitet

Dosja e Arben Ahmetaj, shtyhet seanca paraprake! Erjon Çela i kalon çështjen gjyqtares Rudina Palloj

Gjyqtarja ka shqyrtuar çështjen mëmë atë të inceneratorit të Elbasanit.

F.I
Dosja e Arben Ahmetaj, shtyhet seanca paraprake! Erjon Çela i kalon
Arben Ahmetaj

TIRANË-Në Gjykatën e Posaçme pritej të mbahej seanca paraprake për dosjen e Arben Ahemtajt dhe 10 të pandehurve të tjerë. Sipas shortit elektronik Erjon Çela u përcaktua si gjyqtar i seancës paraprake, por ky i fundit i ka kaluar çështjen gjyqtares Rudina Palloj. Gjyqtarja ka shqyrtuar çështjen mëmë atë të inceneratorit të Elbasanit. Në këto kushte seanca është shtyrë.

Mbi Ahmetajn rëndojnë tre akuza “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje dhe mos deklarim pasurie”. Përveç Ahmetaj, SPAK ka dërguar në gjykatë dosjen edhe për 10 persona të tjerë, mes tyre bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha dhe ish-bashkëshortja e tij Albina Mançka, si dhe shtetasit Andi Boni, Geirjan Kuka, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, Sonila Meqemeja, Elidon Begaj dhe Elda Dinaj. Të dyja si Hoxha dhe Mançka akuzohen për veprat penale “fshehje dhe mosdeklarim pasurie” si dhe “pastrim parash”.

Ahmetaj akuzohet se ka përfituar nga të pandehurit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri pagesa për investimet e kryera nga ai dhe ish-bashkëshortja për shndërrimin e apartamentit të tyre në AirBnb. Pagesat janë kryer nga shoqëria “Integrated Techonogy Services” sh.p.k., në shumën prej më shumë se dy milionë e shtatë mijë lekësh. Në dosjen e SPAK ish-zv.kryeministri akuzohet se ka përfituar nga biznesmenët Zoto e Mërtiri shumën prej njëqind e shtatëdhjetë mijë lekësh nëpërmjet një shitje fiktive, të kryer përmes të pandehurve Andi Boni dhe Helidon Begaj.

Ish-zv.kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Vetë Ahmetaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, qoftë për dosjen e inceneratorëve, qoftë për privatizimin e ish-shoqërisë Buka./ZËRI

Poll

MOS HUMB