
TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme prova të reja për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, lidhur me dosjen “Buka sha”. Avokati mbrojtës i ish-numrit dy të qeverisë kërkoi kohë për tu njohur me provat shtesë që SPAK dorëzoi. Si shkak i kërkesës, seanca paraprake u shty për në datën 17 korrik.
Në këtë çështje Ahmetaj akuzohet për “shpërdorim të detyrës” gjatë procesit të privatizimit të ndërmarrjes “Buka sh.a”, duke shkaktuar një dëm prej miliona eurosh në buxhetin e shtetit.
Arben Ahmetaj, në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, zhvilloi ankandin për shitjen e aksioneve të “Buka” sh.a në vitin 2015, ku iu kalua biznesmenit Fezollari edhe prona që iu është njohur trashëgimtarëve të ish-pronarit të shpronësuar në vitin 1945 nga regjimi komunist. Dëmi që llogaritet nga privatizimi i ish-fabrikës së bukës llogaritet të jetë 700 milionë lekë.
Ish-zv kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar, prej viti 2023, teksa mbi të rëndojnë akuzat “Korrupsion pasiv”, “Fshehje pasurie” dhe “Pastrim parash”. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Vetë Ahmetaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, qoftë për dosjen e inceneratorëve, qoftë për privatizimin e ish-shoqërisë Buka./ZËRI