
TIRANË-Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për dosjen 5D, e cila është ndarë në fraksion të dytë. Në këtë fashikull nën akuzë janë ish-anëtarët e Komisionit të Ofertave, zyrtarët; Eglantina Zëre, Deborah Keçi, Teuta Guri, Jetjon Mera, Reinaldo Gjerazi, Enekleida Qyta, Bruno Koçi, Riviola Baxha dhe Kristo Zhulati. Të gjithë të pandehurit kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, kërkesë e cila është pranuar nga togat e zeza.
SPAK kërkon 1 vit burg për drejtoreshen e klubit sportiv “Tirana”, Deborah Keçin që në aplikim të gjykimit të shkurtuar të reduktohet në 8 muaj. Prokuroria kërkoi pezullim dhe provë për 2 vite në mënyrë që gjatë kësaj kohe mos të kryejë vepër tjetër penale si dhe heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Për Teuta Guri, Renaldo Gjerazi dhe Gentjan Meraj, prokurori Klodian Braho kërkoi dënimin me 9 muaj burg, në aplikim të gjykimit të shkurtuar 6 muaj. Për të tre u kërkua edhe pezullim me afat dy vjeçar qe gjatë kësaj kohe të mos ushtrojë vepër tjetër penale si dhe u dha dënim plotësues që për 5 vite të mos ushtrojnë funksione publike. Seanca e radhës u caktua ne datë 8 maj ora 12.00.
SPAK përfundoi hetimet paraprake më 8 janar të këtij viti për fraksionin e dytë të dosjes ‘5D’, duke marrë të pandehur 9 zyrtarë të bashkisë së Tiranës të akuzuar për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim.
SPAK pretendon se ka provuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, nuk kanë ushtruar në përputhje me ligjin detyrën e tyre për vlerësimin dhe klasifikimin e ofertave, por kanë vlerësuar dhe klasifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik bashkimin e operatorëve ekonomikë “V.A.S Konstruksion” sh.p.k dhe “Rroku Guest”, të cilët kanë qenë të paracaktuar për t’u shpallur fitues nga e pandehura Eglantina Zere ku përfitues të tenderave ishin drejtorët e bashkisë, njëherësh pronar faktik të kompanisë “5D”./ZËRI