
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shtyn seancën gjyqësore për dosjen "Plumbi i Artë". Sot, pritej që të dëshmonte sërish dëshmitari i drejtësisë, Erion Alibej. Shkak u bë mungesa e disa prej avokatëve mbrojtës të të pandehurve, kështu seanca e sotme është shtyrë për javën tjetër, më 17 qershor.
Bashkëpunëtori i drejtësisë, i riu nga Elbasani, ka nisur të japë dëshmitë e tij në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Para togave të zeza ai ka folur për fëmijërinë e tij, armiqësitë në qytetin e Elbasanit dhe ngjarjen ku mbeti i vrarë vëllai dhe xhaxhai i tij, e njohur gjerësisht si masakra e Bradasheshit.
Dosja "Plumbi i artë" u hap pas kapjes së asokohe të plagosurit Nuredin Dumani, i cili ishte një nga personat më të kërkuar të Policisë së Shtetit, pasi dyshohej se ishte vrasës me pagesë. Që nga arrestimi i tij, Dumani pranoi që të bashkëpunonte me drejtësinë, duke u kthyer në një të penduar. Gjatë rrëfimeve të tij për hetuesit e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Dumani ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin duke i thënë SPAK kodet e PIN-eve që kishte në aplikacionin "SkyECC": 'Totorina", "Covid 19" dhe "Alcatraz". Po ashtu, gjatë dëshmive të tij në Gjykatë ka paralajmëruar edhe krime të tjera që do të zbardhen me "Matrix", aplikacionin më të ri që është dekriptuar nga Europol.
Gjatë 3 viteve që ka statusin e të penduarit të drejtësisë, Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Në dosjen 'Plumbi i Artë' përmenden të paktën 32 persona të dyshuar dhe akuzuar, nga 4 organizata të ndryshme kriminale. Dëshmitë dhe emrat e bashkëpunëtorëve që Nuredin Dumani u dha prokurorëve të SPAK, kanë zbardhur plot 27 krime e ngjarje të ndryshme të ndodhura gjatë një dekade mes Tiranës, Elbasanit e Durrësit./ZËRI