
TIRANË- Pak ditë më parë në media u publikua lajmi i tentativës për rrëmbim të një vajze 7-vjeçare. E mitura është vajza e detektives private Shkënda Lili. Më shumë detaje për ngjarjen, ka treguar ajo vetë gjatë një prononcimi për emisionin "Top Story" ku edhe ishte e ftuar që të tregonte vështirësitë e punës së saj.
Në fjalën e saj, ajo ka treguar se vajzën e ka lënë vetëm për të shkuar në banesë që t'i merrte një veshje. Por sapo është ngjitur në banesë ka dëgjuar zilen në citofon. Pasi e ka hapur, ka dëgjuar zërin e të bijës së alarmuar që i kërkonte ndihmë se po e rrëmbenin. E kështu menjëherë ka zbritur poshtë. Por e bija ishte shpëtuar nga banorë të zonës, të cilën e kishin ndaluar gruan që po e tërhiqte. Sipas saj, gruaja që tentoi të merrte vajzën e saj, është e njëjta që doli tetë muaj më parë në pamjet e një supermarketi teksa merrte një fëmijë të vogël 2-vjeçar.
DEKLARATA E SAJ:
Është drejtuar tek vajza dhe e ka kapur prej krahu. Vajza është treguar pak e shkathët dhe duke qenë se unë i bëj leksione, i ka ikur. Kjo i ka shkuar nga pas derisa e ka kapur kamera e lokalit. Jo shumë larg e ka ndjekur, 1-2 metër. Vajza ka ikur me vrap. Kur e ka kapur e ka kapur me rrëmbim dhe ka pasur edhe shenja në krah. Ndërkohë që kemi thirrur dhe administratorin për të hapur edhe kamerat e zonës. Pyesim tek të gjithë njerëzit nëse e njihte dikush, askush nuk e njihte. Kemi hapur kamerat e zonës së kompleksit tim. Shikohet kur futet gruaja, në hyrjen e pallatit ku banonte. Në një moment kur është futur, gjë që është shumë dyshuese. Është futur dhe ka dalë përsëri për të kontrolluar nëse po e ndjek dikush. Ishte e vetëdijshme në mënyrën si është sjellë se diçka ka bërë. Administratori i atij pallati nuk e njihte. Kemi qëndruar deri në orën 10.00 të darkës për të parë nëse do dilte. Pastaj unë e mbylla aty. Ndërkohë me grupin e punës time kam qëndruar deri në 8 të mëngjesit. Nuk doli. Gjeta një mënyrë tjetër unë se thashë 'nuk duroj dot më'. Kisha dhe një agjente të Komisariatit nr.6 që ma kishin dërguar. Unë vendosa që të trokisja derë më derë. Policia më tha jo, por unë nuk duroja dot më. Në katin e 7, i bie derës së parë, nga tre hyrje, nuk hapet. Por hapet ashensori i katit, aty del një zotëri i veshur shumë mirë. I thashë "këtu banon në këtë kat, po më tha, i tregoj videon dhe i thashë e njeh këtë grua". Ai ishte bashkëshorti i zonjës. E pa videon, ishte zotëri. E them me plot gojë. U pre fare. U dridhte i tëri. Ishte punonjës policie në Komisariatin nr.3. U ulëm dhe tregoi historinë e bashkëshortes së tij. Banonin me qera aty ku ishin, shtëpinë e kishin në Astir, por u larguan për këtë fakt sepse ngacmonte shumë fëmijë. I merrte në krahë dhe i tërhiqte. Ai ishte shumë i trembur dhe me sytë me lot më tregonte. Fatmirësisht nuk ka ndodhur...edhe me rastin që është parë në shtator, ishte rasti i saj. Është e njëjta zonjë. Nuk është se i merr. Se edhe tek kjo video, direkt është kapur. E njëjta gjë ndodhi edhe me vajzën time që i është larguar me vrap. Ai (bashkëshorti) ishte shumë i shokuar. Ishte shumë fjalëpak. Mbasdite vjen djali i tyre, 27-vjeç, dhe aty u sqaruam shumë mirë me detaje dhe më tregoi çdo gjë. Më tregoi hallin që kishte. Ai tha 'ka shumë vite që vuan nëna jonë'. Nuk më takon ta them unë për problemet e saj. Por djali ishte i shqetësuar dhe disa herë kanë ndryshuar ambiente. Kanë kërkuar ndihmë, por askush nuk e ka marrë përsipër, vetëm i kishin dhënë mjekim. Unë denoncimin nuk e kam bërë, e kam zgjidhur mes familjarëve, por i kam thënë nëse e shoh edhe njëherë në zonën ku jetoj, atëherë do të bëj denoncim.
Për të njëjtën ngjarje, "Prapaskena" shkruan se ishte e përfshirë edhe Policia, pasi ka dyshime që gruas në fjalë mund të fshihet një grup kriminal. Kjo për shkak se mund të kemi të bëjmë me një rast që dedektives private t'i dërgohet mesazh për shkak të punës së saj.
Megjithatë, ky version është rrëzuar nga vetë dedektivja./ZËRI