TIRANË-Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për këngëtarin Jozefin Marku dhe Kristjan Nikollin, të arrestuar në kuadër të hetimeve për dhunimin e ish-banorit të Big Brother Vip Kosova, Eduart Kuçi. Kërkesa është dorëzuar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, ndërsa tashmë pritet vendimi për masën e sigurisë ndaj dy të dyshuarve.
Jozefin Marku u arrestua për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”. Ndërkohë ndaj Kristjan Nikollit, përveç veprave penale që lidhen me dhunimin e Kuçit, është ngritur edhe akuza për “Përkrahjen e autorit të krimit” dhe “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, bombave ose minave dhe të municionit”.
Gjatë kontrollit në banesën e Nikollit, policia gjeti municione, ndërsa është sekuestruar edhe një automjet tip “Land Rover”, që dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.
Arrestimi i tyre erdhi pas publikimit të pamjeve që kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe që kanë shkaktuar reagime të shumta, ndërsa rrethanat e plotë të ngjarjes pritet të hetohen dhe konfirmohen nga autoritetet. ZËRI vuri në pah dhe ngriti shqetësimin për mungesën e reagimit institucional ndaj pamjeve të publikuara në rrjetet sociale.
Më herët edhe në Kosovë, Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi hapjen e rastit penal lidhur me ngjarjen.

