Aktualitet

'Dhëndri i të vëllait më nxorri nga burgu'/ Dumani e përmendi në gjyq, Nasip Naço: Distancohem!

Dumani tregoi se avokati Alban Bengasi për 40 mijë euro i kishte "bërë letrat", sikur kishte 3 muaj jetë.

k.m.
'Dhëndri i të vëllait më nxorri nga burgu'/ Dumani
Nuredin Dumani dhe Nasip Naço

TIRANË- I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani shkaktoi trazira me dëshmitë që ka dhënë sot në sallën e gjyqit. Gjatë procesit gjyqësore për "Plumbin e Artë", Dumani tha se kur ishte në burg për pengmarrje, në vitin 2013-2014, e kishin nxjerrë nga burgu duke falsifikuar ekspertizën për gjendjen e tij shëndetësore. Sipas tij, avokati Alban Bengasi për 40 mijë euro i kishte "bërë letrat", sikur kishte 3 muaj jetë. Sipas Dumanit, kjo shumë iu pagua në dorë dhëndrit të vëllait të ish-ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço.

Kam paguar para (40 mijë euro) që të dilja nga burgu, kisha avokat Alban Bengasin. Më ka ndihmuar dhëndri i vëllait të Nasipit (Naços), që është mjek. Ishte një mjek ligjor (smë kujtohet emri), që më bëri në gjendje të rëndë për të më liruar nga burgu. Mjeku ligjor m'i bëri letrat sikur vuaj nga zemra dhe sikur kisha edhe 3 muaj jetë,”- u shpreh Dumani ndër të tjera.

Disa orë pas lajmit, një reagim ka ardhur edhe nga deputeti i Partisë Socialiste. Në rrjetet e tij sociale, Naço është shprehur se distancohet nga të gjitha akuzat që janë ngritur ndaj tij, madje kërkon edhe hetim të thelluar lidhur me veprimet e tij si ministër. Sipas tij, akuzat që ka ngritur Dumani sot ndaj tij (edhe pse në fakt ka përmendur të afërmin e tij), nuk kanë lidhje me punën që ai ka bërë si ministër. 

REAGIMI I NASIP NAÇOS:

Jam njohur sot nga mediat ku përmendet emri im. Dua të theksoj se: 1. Distancohem nga çdo akuzë e bërë publike sot dhe ftoj organet e drejtësisë që të kryejnë një hetim të thelluar mbi këtë rast. Nëse akuzat vërtetohen, organet përkatëse duhet të marrin masa ligjore ndaj çdo personi të përfshirë në këtë çështje. 2. Roli i Ministrit të Drejtësisë, sipas legjislacionit në fuqi, është i kufizuar. Ministri: - Nuk heton, - Nuk ngre akuza, - Nuk pushon çështje, - Nuk jep vendime fajsie apo pafajsie. Detyra e tij lidhet vetëm me dhënien e lejeve të veçanta për të dënuarit, bazuar në ligj. 3. Gjatë ushtrimit të detyrës sime si Ministër i Drejtësisë, nuk kam miratuar asnjë leje të veçantë për subjektin në fjalë. 4. Distancohem nga çdo mashtrim, i bërë nga kushdo, individualisht apo në bashkëpunim, për të dëmtuar integritetin tim. Akuzat publike të bëra sot nuk përputhen me faktet reale të ushtrimit të detyrës sime si Ministër. Faleminderit!

Ndërkohë që "personazhi kryesor", mjeku që falsifikoi dokumentat e Dumanit, të cilin nuk e përmendi me emër, ka zgjedhur që të mos bëjë asnjë sqarim lidhur me rastin. Mbetet për t'u parë nëse do të thirret për t'u marrë në pyetje nga SPAK gjatë ditëve në vijim, pasi ky detaj nuk ishte zbuluar deri më tani./ZËRI

Poll

MOS HUMB