Aktualitet

Detaje nga vrasja në Kamëz: Autori zbrazi 10 plumba drejt 27-vjeçarit, tentoi të ekzekutonte shokun e tij

Dyshohet se Llanaj i është afruar viktimës teksa ai ndodhej në shoqërinë e disa personave të tjerë dhe ka qëlluar me armë, duke u larguar menjëherë me automjetin e tij.

zh.ll
Detaje nga vrasja në Kamëz: Autori zbrazi 10 plumba drejt
vendngjarje-sadik llanaj

TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Kamëz, ku mbeti i vrarë Ardian Baloshi, i cili u qëllua për vdekje nga autori Sadik Llanaj.

Sipas burimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur në një zonë të banuar. Dyshohet se Llanaj i është afruar viktimës teksa ai ndodhej në shoqërinë e disa personave të tjerë dhe ka qëlluar me armë, duke u larguar menjëherë me automjetin e tij.

Burime bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, 10 gëzhoja arme zjarri. Raportohet se vetëm një plumb në kokë e ka kapur viktimën.

Ndërkohë, mësohet se autori ka qëlluar me armë zjarri edhe në drejtim të shokut të Ardian Baloshit, i cili ndodhej me të në momentin e ngjarjes. Fatmirësisht, ai nuk është kapur nga plumbat dhe ka arritur të shpëtojë pa lëndime.

Autori 39-vjeçar aktualisht është në kërkim nga autoritetet, të cilat kanë vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 000 eurosh për çdo informacion të saktë që çon në prangosjen e Sadik Llanajt.

Sipas Policisë, autori i dyshuar, Sadik Llanaj, konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe dyshohet se është i armatosur. Për këtë arsye, qytetarëve të Kamzës dhe zonave përreth u kërkohet të tregojnë vigjilencë dhe të shmangin çdo përpjekje për ta ndaluar ose për t’u përballur vetë me të.

Policia e Tiranës:

Apel për kujdes dhe bashkëpunim për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 27-vjeçarit në Kamëz.

Nisur nga rrezikshmëria e lartë e autorit të dyshuar për vrasjen e shtetasit A. B., 27 vjeç, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon ndaj qytetarëve të Kamzës dhe zonave përreth që të tregojnë kujdes të shtuar, pasi autori i dyshuar, shtetasi Sadik Llani, dyshohet se është i armatosur dhe konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Për lokalizimin dhe kapjen e tij janë angazhuar Forca Kombëtare e Sigurisë “RENEA”, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të cilat po vijojnë kontrollet intensive në terren.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që, nëse konstatojnë këtë shtetas ose disponojnë informacion mbi vendndodhjen e tij, të mos ndërhyjnë në asnjë mënyrë, por të njoftojnë menjëherë Policinë në numrin 069 41 05 735 ose në numrin pa pagesë 112.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vë në dispozicion një shpërblim prej 10 000 eurosh për informacionin e saktë që do të çojë në lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Policia e Tiranës garanton ruajtjen e plotë të konfidencialitetit për çdo informacion të dhënë nga qytetarët.

Poll

MOS HUMB