TIRANË- Vrasja me armë zjarri e 27-vjeçarit ka tronditur Kamzën dhe ka vënë në alarm autoritetet për kapjen e autorit, i cili dyshohet se ndodhet ende në zonë, i armatosur.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Oliger Torba, zbardhi detaje duke deklaruar se ngjarja ka ndodhur në rrugë, rreth orës 11:30. Ai deklaroi se të dy të përfshirët, autori dhe viktima, janë banorë të zonës.
Sipas deklaratës së kryepolicit, autori dyshohet se ka qëlluar nga një automjet, ndërsa në atë moment, viktima ka qenë me shokët e tij.
Menjëherë pas ngjarjes, 27-vjeçari është transportuar në spital nga kalimtarë të rastit, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
“Rreth orës 11:30 në spitalin e Traumës është paraqitur pa shenja jete 27 vjeçari Ardian Baloshi. Ka pasur plagë të shkaktuar me armë zjarri. Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e autorit të dyshuar, janë aktivizuar edhe forcat RENEA. Ngjarja ka ndodhur në rrugë, të dy banorë të zonës. Autori ka qenë me automjet, ndërsa viktima ka ndërruar jetë rrugës për në spital. E kanë çuar kalimtarë të rastit”, deklaroi Torba.