KAMËZ- Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kamzën, mesditën e sotme, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.
Viktima është identifikuar si 26-vjeçari Ardian Baloshi, i cili nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra, teksa u transportua në spitalin e Traumës.
Menjëherë pas ngjarjes, situata në zonë është tensionuar, ndërsa Policia e Shtetit ka ngritur pika kontrolli dhe ka rrethuar perimetrin ku ndodhi krimi.
Për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe dyshimeve se autori Sadik Llanaj, mund të jetë ende i armatosur, në terren kanë zbarkuar edhe forcat speciale RENEA, të cilat kanë nisur një operacion të gjerë për kapjen e tij.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi rrethanat e ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të saj./ZËRI