
TIRANË- Grupi hetimor ka kryer analizat laboratorike me mostrat e gjetura në vendin ku ndodhi atentati ndaj mjetit të “Pelikani Security” dhe ka përftuar ADN mikse. Tashmë me rezultatet e dala po bëhen krahasime që mund të çojnë në identitetet e personave të përfshirë në atentatin ku mbetën të plagosur kater persona, mes tyre dy të mitur.
Gjithashtu, ajo që bëhet me dije është se në vendin ku ishin fshehur autorët janë gjetur disa sende si: çanta, doreza dhe pinca që janë përdorur për të prerë telin e rrethimit ku po qëndronin bashkë me motorin. Kqyrja e kamerave të sigurisë ka zbuluar gjithashtu se autorët kanë lëvizur me motor në të njëjtën zonë për disa ditë rresht duke studiuar terrenin.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 17 prillit. Hetuesit kanë kryer edhe disa eksperimente hetimore për të zbuluar itineratin e përshkruar nga autorët. Autorët dyshohet se kanë ndjekur mjetin tip 'G Class', ku po udhëtonin Arens Stafa, 34 vjeç, Kian Mullaj, 19 vjeç, Marko Bardhi Demiraj, 17 vjeç dhe Dior Demiraj, 11 vjeç. Të katërt po ktheheshin nga festa e ditëlindjes së 11-vjeçarit që e festuan në Pjezë të Durrësit.
Autorët dyshohet se kanë kaluar përmes Vishnjes, Picallës, Saukut, Mjullës, Liqenit të Farkës dhe rrugës së agallarëve. Nga aty kanë dalë në vendin ku dhe i kanë bërë pritë automjetit. Pas plagosjes së 4-fishtë dy atentatorët e armatosur me dy kallashnikovë dhe me motorin e përdorur për atentatin udhëtuan deri në fshatin Fikas, Elbasan ku braktisën motomjetin e më pas janë zhdukur./ZËRI/