Aktualitet

Kishte 20 mln lekë borxh/ Merret peng 68-vjeçari në Tiranë, e shoqja "sajon" paratë pas telefonatës kërcënuese

Pasi kanë marrë peng 68-vjeçarin, kanë telefonuar të shoqen e tij duke i kërkuar 20 milionë lekë të vjetra që bashkëshorti i saj kishte marrë borxh.

k.m.
Kishte 20 mln lekë borxh/ Merret peng 68-vjeçari në
Foto ilustruese

TIRANË- Një pengmarrje ka ndodhur në Tiranë, në një nga rrugët më të frekuentuara në kryeqytet. 68-vjeçari, i identifikuar me inicialet E.A., është marrë peng teksa ndodhej në rrugën "George Bush", kur disa persona e kanë marrë forcërisht në mjet dhe e kanë dërguar në një banesë të braktisur në fshatin Kakunjë. Pasi kanë marrë peng 68-vjeçarin, kanë telefonuar të shoqen e tij duke i kërkuar 20 milionë lekë të vjetra që bashkëshorti i saj kishte marrë borxh. Menjëherë e shoqja është vendosur në lëvizje dhe ka siguruar 1.7 milionë lekë dhe ia ka dhënë paratë Bajram Ibraliut në zonën e Saukut. E teksa "thrilleri" vijonte, Policia kishte marrë informacion për ngjarjen e ndodhur dhe ka ndërhyrë duke vendosur në pranga: Klinton e Sulejman Sinën, Idajet Mashollarin, Bajram Ibraliun dhe Nikoleta Begollin. Gjatë kontrolleve në banesat e tyre dhe në makinën e të vetmes grua të arrestuar janë gjetur dhe paratë që kishte dorëzuar e shoqja e personit që ishte marrë peng. 

Ndërkohë hetimet vazhdojnë për të mësuar më shumë detaje për dinamikën e ngjarjeve.

NJOFTIMI I POLICISË:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Imediat”. Morën me forcë dhe mbajtën peng në një zonë periferike, një 68-vjeçar, si dhe kërcënuan bashkëshorten e tij, për t’i marrë 2 000 000 lekë. Kapen pas disa orësh, 5 shtetas që bashkëpunuan për kryerjen e këtij krimi. Sekuestrohen 1 746 000 lekë nga shuma që bashkëshortja iu dha këtyre shtetasve. Menjëherë pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se më datë 29.04.2025, disa shtetas kishin marrë me forcë një shtetas, të cilin e kishin mbajtur peng dhe në këmbim të lirisë së tij i kishin marrë një shumë të madhe parash, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë organizuar punën për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, të kryera në kuadër të operacionit “Imediat”, u arrestuan 5 shtetasit e dyshuar të implikuar në këtë rast, konkretisht: shtetasit S. S., 31 vjeç, K. S., 21 vjeç (vëllezër), I. M., 21 vjeç, B. I., 57 vjeç dhe N. B., 32 vjeçe, të gjithë banues në Tiranë. Nga hetimet, pamjet filmike dhe provat e siguruara ka rezultuar se shtetasit S. S., K. S. dhe I. M., në rrugën “George ë. Bush”, kanë marrë me forcë në një automjet dhe kanë mbajtur peng, në një banesë të braktisur të fshatit Kakunjë, shtetasin E. A., 68 vjeç. Dhe më pas kanë telefonuar bashkëshorten e tij, të cilën e kanë shantazhuar për jetën e 68-vjeçarit, duke i kërkuar shumën prej 2 000 000 lekësh. Kjo shumë i është dorëzuar shtetasit B. I., në zonën e Saukut. Në vijim të veprimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes, janë kryer kontrolle në banesat e këtyre shtetasve si dhe në një automjet me të cilin lëviznin shtetasi S. S. dhe shtetasja N. B., ku u gjetën dhe sekuestruan 1 746 000 lekë të dyshuara të marra nëpërmjet kanosjes, nga bashkëshortja e shtetasit E. A. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB