
TIRANË- Disa ditë pas atentatit në Lundër, Tiranë, ku mbetën të plagosur 4 persona, mes tyre 2 fëmijë, krimi është ende me shumë pikëpyetje. Deri më tani, nuk ka autorë të identifikuar, apo edhe zbardhje për motivin e krimit. Bëhet me dije se pas plagosjes së 4-fishtë dy atentatorët e armatosur me dy kallashnikov dhe me motorin e përdorur për atentatin udhëtuan deri në fshatin Fikas, Elbasan ku braktisën motomjetin dhe e dogjën. Ndërsa, armët e përdorura në krim, nuk janë gjetur.
Ajo që lanë pas atentatorët është një motor i markës “Yamaha i vitit” 1998 pa numër shasie. Për identifikimin e tij Policia po shpreson në karakteristika të tjera të mjetit, të cilat ua ka nisur Policive partnere. Po ashtu, Policia dyshon se në ngjarje është përfshirë edhe një person i tretë, që ka larguar autorët nga Fikasi, pasi braktisën dhe dogjën motorin. Hetuesit po këqyrin kamerat e sigurisë, për të marrë të dhëna të reja mbi drejtimin që kanë ndjekur më pas autorët.
Sipas “Top Channel”, deri më tani është zbuluar se autorët janë nisur nga fshati Vishnjë kanë vijuar në Picallë dhe më pas kanë mbërritur në Lundër ku kanë qëndruar rreth 5 minuta të fshehur mes bimësisë, duke pritur të shfaqej mjeti G Class ku udhëtonin dy vëllezërit e mitur Demiraj me mikun e tyre dhe shoferin, të cilët nga breshëria e dy kallashnikovëve mbetën të 4 të plagosur.
Për motivet e ngjarjes policia po heton në dy pista atë të ngatërrimit të objektivit dhe ndonjë konflikt të mundshëm të pronarit të Pelikani Security. Policia po verifikon gjithë makinat e të njëjtit tip me atë që ra pre e atentatit që frekuentojnë zonën rezidenciale në Lundër si edhe makinat që po qarkullonin në unazën lindore mbrëmjen e 17 prillit./ZËRI