TIRANË- Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti tragjik në Tiranë, mesditën e të martës, ku humbi jetën 72-vjeçarja Athina Bushi. Sipas burimeve, nga kqyrja e pamjeve të sigurisë ka rezultuar se 72-vjeçarja është penguar dhe më pas është përplasur në gomën e pasme të autobotit, duke humbur jetën në vendngjarje. Ndërkohë, drejtuesi i autobotit, 52-vjeçari Arjan Bilanin është arrestuar nga policia menjëherë pas ngjarjes dhe është lënë në burg.
"Specialistët e qarkullimit rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. B., 52 vjeç, pasi dje, mjeti që drejtonte është përfshirë në një aksident rrugor, me pasojë vdekjen e shtetases A. B., 72 vjeçe, e cila lëvizte me motomjet elektrik", njotoi policia.
Ujësjellësi Kanalizime Tiranë reagoi pas ngjarjes duke i shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës, ndërsa theksoi se do bashkëpunojnë me autoritetet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Aksidenti fatal ndodhi një ditë më parë, rreth orës 10:30 në Bulevardin "Gjergj Fishta", pranë Gjykatës së Tiranës./ZËRI
