TIRANË- Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti tragjik i ndodhur pasditen e së mërkurës te rrethrrotullimi i TEG-ut, ku një person humbi jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, kamioni (betoniere) po lëvizte nga Unaza Lindore, në aksin Farkë-TEG, me drejtim rrethrrotullimin pranë qendrës tregtare. Dyshohet se mjeti i tonazhit të rëndë po lëvizte me shpejtësi të lartë në momentin kur iu afrua rrethrrotullimit, pasi në vendin e ngjarjes janë konstatuar edhe shenja të forta frenimi në asfalt.
Burime bëjnë me dije se dy personat që ndodheshin në kamion dyshohet se janë shtetas egjiptianë. Për këtë arsye, identiteti i tyre ende nuk është konfirmuar ende. Në njoftimin zyrtar, policia bëri me dije se njëri prej tyre ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa tjetri ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Aksidenti i rëndë u regjistrua pasditen e sotme, rreth orës 16:20, ku një kamion (pompë betoni) u përplas me një automjet top 'Audi' dhe ra nga mbikalimi në aksin TEG–Elbasan, duke zënë poshtë një tjetër automjet.
Ndërkohë, 28 vjeçari Roland Nuri, shoferi i 'Audit', ka mbetur i plagosur dhe aktualisht ndodhet në spital. /ZËRI