Aktualitet

Ç’deklaronte ish-zyrtarja Dashi për vëllezërit e dënuar? Dëshmia: Me Besjanin kam një djalë që nuk i njeh atësinë

Dashi ka pohuar se e njihte një prej vëllezërve, Besjanin.

F.m
Ç’deklaronte ish-zyrtarja Dashi për vëllezërit e
Rajmonda Dashi

TIRANË- Ish-drejtoresha e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi ka mohuar të ketë lidhje me skemën e pastrimit të parave të dy vëllezërve të dënuar në Belgjikë për trafik droge. Bëhet fjalë për vëllezërit Leonard Ramaj dhe Besian Ramaj, që në bashkëpunim me Ardjan Malasin, administratorin e kompanisë “Ledio 04”, pastronin paratë e trafikut të drogës. Në seancën e mbajtur më 23 tetor të vitit 2023, Dashi ka pohuar se e njihte një prej vëllezërve, Besjanin. Gjithashtu, ajo është shprehur se e vetmja gjë që e lidhte me të, ishte fakti që bashkë kishin një djalë, por që Besjan Ramaj nuk ia njihte atësinë.

Çfarë thotë SPAK për rolin e Dashit?

Sipas SPAK, nga viti 2010 deri në 2023, vëllezërit Besjan dhe Leonard Ramaj së bashku me të njohurin e tyre Ardjan Malasin kanë kryer veprime sistematike, të vazhdueshme të kundërligjshme me qëllim pastrimin e të ardhurave që kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal, përmes investimit në pasuri të paluajtshme, kryerjes së veprimeve për shitblerje dhe transferim në vazhdimësi të pronësisë, si dhe përmes lëshimit të faturave fiktive nga shoqëritë tregtare të tyre për qëllime të justifikimit të burimit të ligjshëm. Për të realizuar planin e tyre, ata janë ndihmuar nga ish-zyrtarja Dashi, e cila sipas SPAK, është përfshirë në disa veprime të kryera pas vitit 2018, në bashkëpunim me të pandehurit Besjan Ramaj dhe Ardjan Malasi. Dashi është përfshirë në kryerje të veprimeve juridike haptazi fiktive, si dhe në veprime të tjera të kryera gjatë investimit në pasuri të paluajtshme të të ardhurave që dihet që kanë origjinë të paligjshme apo veprime të tjera juridike të kryera në lidhje me to. Shuma totale e pastrimit të parave të përfituara nga aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar është 1,250,000 euro dhe 9,000,000 lekë.

Poll

MOS HUMB