TIRANË- Është mbyllur mbledhja e drejtuesve të prokurorive me Prokurorin e Përgjithshëm, Olsjan Çela, ku në fokus ishte situata e krijuar pas bllokimit të pagave të muajit gusht 2026 për sistemit të drejtësisë.
Në takim morën pjesë drejtuesit e prokurorive, përfaqësues të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Shoqatës së Prokurorëve. Diskutimet u përqendruan te garantimi i zbatimit të kuadrit ligjor dhe financiar për pagat, si dhe te vijimi normal i funksionimit të institucioneve të drejtësisë.
Në deklaratë bëhet me dije se, të gjithë pjesëmarrësit kanë vlerësuar se çëshjta kërkon zgjidhje të shpejtë, ndërsa u dakordësua vijimi i trajtimit të çështjes përmes instrumenteve ligjore.
Deklarata:
Mbi mbledhjen lidhur me situatën e pagesave të magjistratëve dhe administratës së sistemit të drejtësisë
Sot, më datë 8 shtator 2026, në Prokurorinë e Përgjithshme u zhvillua një mbledhje e thirrur nga Prokurori i Përgjithshëm me pjesëmarrjen e drejtuesve të prokurorive, përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Shoqatës së Prokurorëve, lidhur me situatën e krijuar pas bllokimit të ekzekutimit të pagesave për pagat e muajit gusht 2026 të magjistratëve dhe administratës.
Gjatë mbledhjes u diskutua në mënyrë të detajuar situata e krijuar, si dhe nevoja për garantimin e zbatimit të kuadrit ligjor dhe financiar që rregullon pagat e magjistratëve dhe funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë.
Të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan se çështja kërkon një zgjidhje të shpejtë, të qartë dhe në përputhje me ligjin, në respektim të standardit kushtetues të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, duke garantuar vijimësinë normale të funksionimit të institucioneve dhe respektimin e të drejtave të magjistratëve dhe punonjësve të administratës.
Në këtë kuadër, u dakordësua vijimi i trajtimit të kësaj çështjeje përmes instrumenteve ligjore, në funksion të garantimit të pavarësisë, funksionimit normal dhe qëndrueshmërisë së sistemit të drejtësisë.
Mbledhja urgjente u thirr nga Prokurori i Përgjithshëm dhe në të morën pjesë drejtues të prokurorive, përfaqësues të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Shoqatës së Prokurorëve. Prokurorët u mblodhën në një kohë kur Administrata e Gjykatës së Tiranës dhe ajo e Gjykatës së Apelit kanë nisur bojkotin për shkak të moskalimit të pagave të muajit gusht. /ZËRI