Aktualitet

Pa telefona e laptop në GJJKO, avokatët vendosin bojkot pa afat të seancave gjyqësore

Në vendim thuhet gjithashtu se për avokatët që nuk zbatojnë bojkotin do të ketë masa disiplinore.

F.I
Pa telefona e laptop në GJJKO, avokatët vendosin bojkot pa afat
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Avokatët kanë vendosur bojkot pa afat të seancave gjyqësore në GJKKO, në kundërshtim të rregullores së re, kufizimet e të cilës nuk lejojnë përdorimin e celularëve nga mbrojtësit gjatë gjyqeve. Vendimi u mor nga Këshilli i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, pas mungesës së një reagimi nga Gjykata e Posaçme ndaj kërkesës së avokatëve për rishikimin e rregullores. Në vendim thuhet gjithashtu se për avokatët që nuk zbatojnë bojkotin do të ketë masa disiplinore.

Rregullorja e re ndalon mbajtjen dhe përdorimit e telefonave celularë, laptopëve dhe tabletëve brenda sallave të gjyqit për avokatët. Megjithatë në rregullore thuhet se: Prokurorët, të pandehurit, viktimat dhe avokatët që marrin pjesë në një seancë gjyqësore mund të mbajnë me vete dhe të përdorin vetëm kompjuterë portativë (laptopë) për ushtrimin e funksioneve të tyre procedurale, për aq kohë sa përdorimi i tyre nuk cenon rendin, solemnitetin ose zhvillimin e rregullt të seancës gjyqësore.

 "Për garantimin e sigurisë, rendit, solemnitetit të seancës gjyqësore dhe administrimit të rregullt të drejtësisë, si dhe për mbrojtjen e procesit të rregullt ligjor, të drejtave të palëve, konfidencialitetit të komunikimeve dhe mbrojtjes së të dhënave personale gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, ndalohet mbajtja dhe përdorimi i telefonave celularë,"-thuhet në dokument.

Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, deklaroi se GJKKO-ja nuk i ka kthyer ende përgjigje kërkesës së avokatëve për rishikimin e rregullores së re. Sipas avokatëve, moslejimi i celularëve në seanca prek drejtpërdrejt ushtrimin e profesionit të tyre.

Veç avokatëve kufizime ka edhe për median. Konkretisht, kufizohet numri i përfaqësuesve të mediave që mund të ndjekin një seancë gjyqësore, hiqet praktika e deritanishme që lejonte filmimin e minutave të para të seancave, ndalohet filmimi në korridoret e gjykatës dhe gazetarët do të duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim të paktën 24 orë përpara për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore. Gjithashtu, do të rishikohen të gjitha autorizimet dhe lejet ekzistuese të akreditimit vjetor.

Poll

MOS HUMB